Shvercerat dhe Bad Blu Boys BASHKË nga e njëjta tribunë do të bëjnë tifo në Shkup

Në prag të ndeshjes së kthimit të xhiros së dytë të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve mes kampionit të Maqedonisë së Veriut FC Shkupi dhe ekipit kroat DINAMO Zagreb është paralajmëruar spektakël në Shkup. Kjo ndeshje do të zhvillohet në Arenën Todor Proeski të martën që vjen me fillim në ora 21:00, ku nikoqirët kanë paralajmëruar tribuna të mbushura dhe një festë të cilën Çairi e ka pritur gati dy dekada.

FC Shkupi gjatë kësaj ndeshjeje të kthimit ka shans serioz për të arritur rezultat historik pas ndeshjes heroike 2 me 2 në Zagreb dhe me këtë të siguroj fazën e grupeve në një nga garat evropiane.

I gjithë Çairi është në këmbë, koreografia dhe gjithçka e nevojshme tashmë po përgatitet, ndërkohë mësohet për një tjetër “befasi”.

Gjatë ndeshjes së FC Shkupit në Zagreb, ku “Shvercerat” u pritën shumë mirë nga tifo grupi Bad Blue Boys dhe nuk pati asnjë incident mes tyre por sjellje vëllazërore, pas përfundimit të ndeshjes të dy tifo grupet janë marrë vesh që BASHKË të bëjnë tifo dhe të brohorasin nga e njëjta tribunë, më saktësisht, kush është më i mirë të fitojë.

Udhëheqësit e dy grupeve të tifozëve janë marrë vesh për të gjitha detajet në një takim të veçantë në Zagreb pas ndeshjes Dinamo – Shkupi, ndërsa një grup tifozësh kroatë pritet të mbërrijnë këtë të marte në Shkup.