Shqipëri/ Qeveria thotë se sistemet janë të paprekura nga sulmi kibernetik

Në Shqipëri, autoritetet siguruan sot se sistemet qeveritare dhe të dhënat e tyre nuk janë prekur nga sulmi kibernetik që i goditi ato në fundjavë, por i bërë publik një ditë më parë. Në një deklaratë të saj qeveria shpjegon se pavarësisht se bëhej fjalë për një “sulm kompleks dhe në shkallë të gjerë” duke ndjekur protokollet e reagimit, “u krye izolimi i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare për të garantuar mbrojtjen e të dhënave”.

Sipas deklaratës “detektimi dhe përgjigja e shpejtë ndaj këtyre sulmeve bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura. Këto sistemet, kanë të gjitha back-up dhe janë të sigurta. Në këtë moment jemi duke verifikuar sistem pas sistemi që këto të fundit të jenë të sigurt në çdo element, përpara se të kthehen sërish online dhe në funksionalitet të plotë”, saktëson qeveria duke siguruar qytetarët se “të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura”.

Sipas versionit zyrtar “metodat mbi të cilat aktorët keqbërës kanë vepruar janë të ngjashme me sulmet e vitit të fundit, të vëna re në hapësirën kibernetike ndërkombëtare. Teknikat mbi të cilat ky sulm mbështetet janë të së njëjtës natyrë me ato të përdorura për një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit. Këto metoda maskohen fillimisht me sulme të tipit Ransomëare, me anë të të cilave keqbërësit kërkojnë të largojnë vëmendjen nga qëllimi real, që është sulmi ndaj sistemeve kritike. Hapi i dytë i këtij sulmi të përqendruar dhe sofistikuar është goditja në sistemet kritike digjitale të shtetit shqiptar për t’i nxjerrë jashtë funksionit”.

Nga ana e tij presidenti Ilir Meta u shpreh me tone kritike për situatën e krijuar, duke qenë se sistemi e-Albania, përmes të cilit qytetarët dhe bizneset marrin shërbimet publike, nuk është ende funksional. Ai foli me tone kritike ndaj autoriteteve përgjegjëse, duke theksuar se “në mënyrë të përsëritur edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare përpara agresionit kundër Ukrainës, kam kërkuar marrjen e të gjitha masave për rritjen e sigurisë kibernetike, për të parandaluar ngjarje të tilla. Kjo situatë, në kontekstin edhe të zhvillimeve të brendshme dhe ndërkombëtare, e rëndon akoma më shumë dhe e kompromenton funksionimin e shtetit, në të gjitha hallkat, ku veçanërisht qytetarët janë ata që i vuajnë pasojat më së shumti”, shkroi zoti Meta në një postim në Facebook duke bërë thirrje për “marrjen e masave të menjëhershme, serioze dhe të përgjegjshme, duke mobilizuar ekspertizën e nivelit më të lartë profesional për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe vënien nën kontroll të situatës, për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen”.

Por në një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama shkroi se “kundërofensiva e AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) dhe aleatëve në përballjen e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë, po rezulton e qëndrueshme dhe e suksesshme. Agresori nuk ka arritur të shembë sistemin e mbrojtjes dhe është në tërheqje! Nëse s’do kemi surpriza të tjera, shërbimet do rikthehen shumë shpejt”, bëri të ditur kryeministri.

Dje, ndërsa bënë publike situatën, auoritetet folën për një “sulm masiv kibernetik të pandodhur kurrë më parë, të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë”./