Pas trazirave, Ranil Wickeremesinghe zgjedhet president i Shri Lankës

Deputetët e Shri Lankës kanë zgjedhur kryeministrin Ranil Wickeremesinghe si presidentin e ri të vendit, pavarësisht jopopullaritetit të tij në publik.

Wickremesinghe do të përballet me detyrën për të nxjerrë vendin nga kolapsi i tij ekonomik dhe për të rivendosur rendin publik pas muajsh protestash masive, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ai mundi rreptësisht rivalin e partisë Dullus Alahapperuma, me 134 vota kundër 82 në votimin parlamentar të mërkurën.

Ish-presidenti i Shri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, u largua nga vendi javën e kaluar.

Ai shkoi në Maldive dhe më pas në Singapor pasi mijëra protestues sulmuan rezidencat e tij presidenciale dhe ndërtesat e tjera qeveritare, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Ata kishin kërkuar gjithashtu dorëheqjen e zotit Wickremesinghe, i cili u emërua kryeministër në maj. Protestuesit dogjën shtëpinë e tij private dhe gjithashtu sulmuan zyrën e tij kryeministrore në Colombo në demonstrata kundër udhëheqjes së tij.

Protestuesit kanë kërkuar vazhdimisht që ish-kryeministri, tani presidenti të largohet.

Megjithatë Wickremesinghe i ka kundërshtuar këto thirrje. Ai mori automatikisht postin e ushtruesit të detyrës pasi Rajapaksa u largua dhe fitorja e tij të mërkurën do të thotë se ai do të kryejë pjesën tjetër të mandatit presidencial deri në nëntor 2024.

Shri Lanka është në fakt falimentuar dhe përballet me mungesa akute të ushqimit, karburantit dhe furnizimeve të tjera bazë.