Nis beteja për jugun, ukrainasit në kundërofensivë, armët amerikane i bëjnë gjëmën rusëve

Forcat ukrainase kanë krijuar terrenin e duhur për një kundërofensivë të madhe, që ata shpresojnë se do të arrijë t’i dëbojë pushtuesit rusë nga Kherson në jug të vendit, duke e hapur rrugën drejt Krimesë. Javët e fundit, ekipet e artilerisë, forcat speciale dhe ato guerile kanë hedhur themelet e këtij kundërsulmi, duke shkatërruar bazat kryesore ruse, duke sulmuar hekurudhat dhe urat jetike.

Shumë trupa dhe furnizime janë grumbulluar përgjatë vijës së frontit jugor, që kalon midis qyteteve Mykolayiv dhe Kherson. Sipas institutit me qendër në SHBA, Instituti për Studimin e Luftës, kundërofensiva e shumëpritur mund të ketë nisur tashmë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se forcat e tij po lëvizin “hap pas hapi” për çlirimin e plotë të Kherson-it.

Ish-Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Andriy Zagorodnyuk, thotë për Newsweek se luftëtarët ukrainas “duhet t’i largojnë forcat ruse nga Kherson sa më shpejt që të jetë e mundur”. Hanna Shelest, drejtore e programit të studimeve të sigurisë në grupin e ekspertëve për politikën e jashtme dhe sigurinë, Ukrainian Prism, deklaron se Kherson është një objektiv logjik për kundërsulmin e madh të Ukrainës.

“Të gjitha territoret janë të rëndësishme. Ne nuk po i japim përparësi një zone apo një tjetre. Por fakt është se Kherson është vendi më i përshtatshëm për ta nisur kundërsulmin”- deklaroi Shelest nga qyteti portual i Odessa-s në jug.

Vija e frontit në veri, afër Kharkiv, shkon deri afër kufirit Ukrainë-Rusi, duke u ofruar forcave ruse rrjete të mira furnizimi. Në lindje, Rusia ka angazhuar shumë trupa dhe armë në fushëbetejat e Donbass-it, duke arritur disa fitore të kufizuara. Por në jug, forcat ruse nuk kanë bërë asnjë përparim që nga javët e para të pushtimit.

Linjat e furnizimit nga Krimea janë shumë të shtrira, forcat e tyre janë dobësuar si pasojë e kërkesave nga Donbass, dhe autoritetet pushtuese nuk po arrijnë ta shtypin kryengritjen që vlon nën sipërfaqe.

Sistemet e reja të artilerisë perëndimore me rreze të gjatë veprimi – veçanërisht HIMARS – të prodhuara në SHBA, dhe municionet e tyre me saktësi shumë të madhe, dhe me rreze veprimi prej rreth 80 km – i kanë dhënë mundësi ukrainasve të ndryshojnë ekuilibrat në terren, duke i lënë pushtuesit pa municione, karburant dhe furnizimet e tjera që i nevojiten për të mbajtur pozicionet aktuale.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, tha se forcat e tij kanë shkatërruar 50 depo municionesh dhe karburantesh me sistemet HIMARS vetëm javët e fundit. Po ashtu ukrainasit kanë goditur 3 ura mbi lumin Inhulets, që kalon në jug të qytetit Kherson.

Të martën në mbrëmje, forcat ukrainase goditën më shumë se 12 herë Urën Antonivskiy, duke e dëmtuar rëndë strukturën strategjike dhe detyruar mbylljen e saj nga autoritetet pushtuese ruse. Urat e dëmtuara, thotë Shelest, janë një paralajmërim për rusët.

“Shumë gjëra varen nga këto ura. Ukrainasit arritën të mos i shkatërrojnë plotësisht, por po ne po tregojmë se mund ta bëjmë këtë…Dhe kjo ka një efekt të madh psikologjik”- shton ajo. Alexander Khara, një ish-këshilltar sigurie i qeverisë ukrainase, shprehet për Newsweek se për shkak të moralit të dobët të trupave ruse në jug, një kundërofensivë “ka një shans të shkëlqyer për të pasur sukses”.

Ndërkohë aktiviteti gueril, po e dëmton moralin e pushtuesve në të gjithë Ukrainën Jugore. Bashkëpunëtorët e rangut të lartë janë vrarë, dhe trupat ruse po sulmohen rregullisht. “Kjo është shumë e rëndësishme. Pasi e bën shumë të ndryshme gjendjen nga ajo që kishim në Donbass në vitin 2014”- thekson Shelest.

Po pse ka kaq shumë rëndësi Kherson? Me një popullsi para pushtimit prej gati 300.000 banorësh, ky qytet do të jetë objektivi kryesor i kundërsulmit të ushtrisë ukrainase. Suksesi atje, do të krijonte mundësi për fitore në pjesën tjetër të rajonit. Dhe një triumf i madh në jug, i jep Ukrainës përfitime të shumta strategjike.

Sprapsja e forcave ruse më në lindje, përtej Kherson, do t’i mbajë ato edhe më larg nga qyteti port kyç i Odesa-s, dhe nga anijet tregtare që veprojnë atje. “Odesa është porta jonë drejt botës. Rëndësia e saj ndihet shumë përtej Ukrainës. Me bllokimin e saj nga Rusia, miliona njerëz në të gjithë globin po vdesin nga uria”- thotë Khara

Edhe Andriy Zagorodnyuk, ish-ministri i mbrojtjes, thotë se është shumë e rrezikshme që Kherson të lihet në duart e Rusisë. “Nëse Rusia mban Kherson, do të kërcënojë Mykolaiv. Odessa do të jetë gjithnjë në rrezik. Rusët donin dhe duan ende të pushtojnë gjithë bregun e Detit të Zi, ndaj ne duhet t’i largojmë ata sa më shpejt nga atje”- thekson ai.

Çlirimi i jugut, do të nënkuptonte gjithashtu rifitimin e qasjes tek industritë bujqësore dhe industriale të këtij rajoni; edhe pse që të dyja janë dëmtuar rëndë nga lufta. Ndërsa Rusia kontrollon jugun, Moska ka një urë tokësore nga gadishulli i Krimesë përmes Donbasit të pushtuar dhe deri në Rusi.

Rimarrja e jugut nga ukrainasit, do ta prishte të ashtuquajturën e “strategjia Novorossiya”.

“Rusisë i duhen ato territore për të siguruar një urë tokësore për në Krime, dhe një furnizim të pandërprerë me ujë për gadishullin”- nënvizon Khara.

Po ashtu forcat pushtuese, po synojnë të ridrejtojnë furnizimin me energji elektrike nga termocentrali bërthamor Zaporizhzhia përgjatë lumit Dnieper. “Edhe nëse ne arrijmë të marrin vetëm qytetin Kherson, kjo do të jetë një goditje e madhe për rusët. Por nëse marrim marrin të gjithë rajonin, kjo do ta shkëputë Krimenë nga pjesa tjetër e trupave ruse”- thotë Zagorodnyuk.

Pak njerëz në Ukrainë besojnë se çdo armëpushim apo marrëveshje paqeje me Rusinë do të respektohet nga kjo e fundit. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e bëri të qartë këtë javë se qëllimet e Kremlinit në këtë luftë shtrihen shumë përtej Donbasit. Nëse Moska lejohet të diktojë fundin e këtij raundi luftimesh, mendojnë shumë ukrainas, kjo vetëm se do të krijojë terrenin për luftën e ardhshme.

Mposhtja e rusëve në jug, do të jetë një goditje tjetër për ambiciet perandorake të Putinit. “Edhe një histori tjetër suksesi është vendimtare për moralin e ukrainasve dhe partnerëve tanë, të cilët duhet të inkurajohen në besimin e tyre se Ukraina do të fitojë. Ne do të jemi

në gjendje të zhvendosim disa burime në lindje. Edhe kjo mund të dekurajojë plotësisht presidentin e Bjellorusisë Lukashenko nga përfshirja e mundshme në luftë”- thotë Khara.

Qeveria e Ukrainës, beson se ka një imperativ moral për të çliruar ata që jetojnë tashmë nën pushtimin rus. Por Moska po përpiqet të vendosë kontrollin e saj mbi territoret e pushtuara. Këtë javë, zyrtari i lartë rus në Kherson tha se një referendum rajonal për bashkimin me Federatën Ruse -një votim i manipuluar për të zyrtarizuar kontrollin e Moskës – do të mbahej pavarësisht nga “frikësimet” nga Kievi dhe forcat e tij. Autoritetet pushtuese në Kherson dhe Zaporizhzhia, pritet të mbajnë zgjedhje të tilla farsë më 11 shtator.

Newsweek kontaktoi Ministrinë e Jashtme ruse lidhur me këtë çështje. Reznikov deklaroi javën e kaluar:”Unë shpresoj që ukrainasit të qëndrojnë në shtëpi atë ditë. Por ku i dihet, ndoshta deri atëherë qyteti do të çlirohet”.

Ndërkohë, pushtuesit po u japin banorëve pasaporta ruse, po vendosin në krye të organeve lokale zyrtarë rusë, dhe po zhdukin këdo që dyshohet për rezistencë. “Ne kemi gjithnjë e më shumë prova për abuzimet e vazhdueshme të rusëve në zonat e pushtuara”- thotë Shelest.

Trupat ukrainase që po përparojnë në jug, mund të ndeshen me pamje të tmerrshme, të ngjashme me ato në veri të Kievit, në qytete si Irpin, Bucha dhe Hostomel. ”Përveç llogaritjeve ushtarake, ka edhe kosto njerëzore. Çdo sukses do të vijë me një kosto të lartë. Edhe pse të dobësuar, rusët po përgatiten prej muajsh”- shton Khara.

Ndërkohë edhe Zagorodnyuk deklaron se Rusia ka ende shumë pajisje me fuqi zjarri me rreze të gjatë. “Ata e kanë përforcuar Kherson me linja mbrojtëse të blinduara. Ata përdorën 2 fabrika çimentoje në qytet për të prodhuar blloqe betoni të blinduara. Nuk ka dyshim se humbja e personelit ushtarak është një rrezik i madh për Ukrainën, ndaj çdo hap duhet të planifikohet me shumë kujdes. Rusia është duke i shteruar aftësitë e saj, por mbetet ende shumë e rrezikshme”- thotë ai.