Ministrja e Jashtme gjermane: BE-ja nuk do të dorëzohet përballë ‘shantazhimit’ rus për gazin

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha se Bashkimi Evropian nuk do t’i dorëzohet “shantazhimit” të Moskës, pasi Gazpromi njoftoi për një tjetër reduktim të madh të gazit përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1, i cili lidh Rusinë me Gjermaninë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 26 korrik, Baerbock tha se Gjermania dhe BE-ja e shohin taktikën e Rusisë si një përpjekje tjetër për të ndarë BE-në.

Sipas saj kjo do të jetë një përpjekje e pasuksesshme sepse Evropa është e bashkuar si kurrë më parë dhe e kupton se duhet t’i japë fund varësisë së saj nga energjia ruse.
“Ne duam të jemi 100 për qind të pavarur nga energjia me lëndë djegëse fosile e Rusisë, sa më shpejt që të mundemi”, tha ajo, duke shtuar se Evropa synon të qëndrojë në këtë rrugë.

Baerbock i bëri këto komente një ditë pasi gjigandi shtetëror rus i energjisë, Gazprom, tha se nga 27 korriku do ta shkurtoj furnizimin përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1 në Gjermani në një të pestën e kapacitetit.

Gazprom njoftoi për këtë shkurtim vetëm disa ditë pasi rifilloi rrjedhën e gazit përmes tubacionit, pas një ndërprerjeje 10 ditore të mirëmbajtjes, por vetëm në 40 përqind të kapacitetit. Rusia tha se ishte e detyruar të ulte volumin për shkak të kthimit të vonuar të një turbine që po servisohej në Kanada.

Si Gjermania ashtu edhe BE-ja kanë thënë se nuk ka asnjë justifikim teknik për ngadalësimin e rrjedhës së gazit. Ata thonë se lëvizjet e Rusisë janë të motivuara politikisht dhe janë të lidhura me sanksionet e BE-së pas pushtimit rus të Ukrainës.

Baerbock tha se mirëmbajtja e turbinës ishte një shembull tjetër se si Rusia provon “çdo lloj mjeti dhe mashtrimi” për të ndarë Evropën, por Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar.

Ajo tha gjithashtu se nëse Rusia ndërpret plotësisht rrjedhën e gazit përmes Rrjedhës Veriore 1, “nuk ka asnjë dyshim” se Gjermania do të vazhdojë politikën e saj të sanksioneve ndaj Rusisë.

Evropa ndaloi importet ruse të qymyrit duke filluar nga 1 gushti dhe shumica e importeve të naftës do të përfundojnë deri më 31 dhjetor.

Baerbock përmendi gjithashtu furnizimin me armë me fuqi të lartë në Ukrainë, duke thënë se nuk mungon vullneti politik në Berlin për t’i dorëzuar ato.

Kritikat me të cilat Gjermania u përball në ofrimin e mbështetjes ushtarake ndaj Ukrainës, ajo tha se “kjo është arsyeja pse ne përpiqemi të përmirësohemi”.

Gjermania po dërgon tani në Ukrainë artileri, duke përfshirë obuset dhe ka ndihmuar në trajnimin e forcave ukrainase. Ajo tha se shpreson që Gjermania të dorëzojë një sistem të mbrojtjes ajrore deri në fillim të shtatorit

Diplomatja e lartë gjermane komentoi gjithashtu shpresat e Bosnje-Hercegovinës për t’iu bashkuar BE-së pas disa zhgënjimeve në vend kur Ukrainës dhe Moldavisë iu dha statusi i kandidatit.

Ajo tha se “retorika nacionaliste po shfaqet përsëri” në vend, por tha se beson se të rinjtë boshnjakë duan unitet midis grupeve etnike të vendit dhe një shans për të jetuar dhe për të ndërtuar një të ardhme së bashku.

Për Afganistanin, ajo tha se dërgimi i mbështetjes ushtarake për rezistencën e armatosur që kundërshton talibanët “nuk është në rend dite”.

Sipas saj, vendi po vuan nga një fatkeqësi humanitare dhe Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj për të ndihmuar në zbutjen e kësaj situate, por nuk ka asnjë kontakt me qeverinë e udhëhequr nga talebanët.

Gjermania duhet të mbështesë popullin e Afganistanit dhe të vazhdojë të ndihmojë largimin e njerëzve, të cilët janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me qeveritë perëndimore, tha ajo.

Baerbock tha gjithashtu se gratë në Afganistan po përjetojnë “shkeljen më të madhe të të drejtave të grave” dhe për këtë arsye duhet të ketë një fokus të veçantë tek gratë dhe vajzat, jeta e të cilave “u ndal” kur talebanët morën pushtetin./REL/