Lukaku: Largimi nga Interi ishte i gabuar

Në një ceremoni madhështore, Interi ka prezantuar fanellat e reja, që do të veshë skuadra sezonin e ardhshëm dhe që janë të përbëra nga vija vertikale të zeza e të kaltra, një model që ngjan shumë me atë të viteve ’60, kur zikaltrit kanë fituar jo pak.

Në ceremoni ishin Lautaro Martinez, Barella dhe Lukaku, teksa pikërisht belgu ishte ai që foli për largimin verën e kaluar dhe deklaroi se sfida e tij është të rikthejë Interin te titulli kampion këtë sezon.

“Largimi rezultoi një zgjedhje e gabuar, por tani rëndësi ka që jam rikthyer sërish. Jemi duke punuar shumë mirë në grumbullim dhe duhet të vazhdojmë kështu, pasi na pret një goxha sfidë dhe duam të fitojmë titullin. Në Angli kam kuptuar se sa i rëndësishëm dhe i famshëm është Interi në botë. Familja ime dhe unë jemi ndjerë shumë mirë në Milano dhe gjatë këtij viti e kemi mbajtur shtëpinë këtu, ku sidomos mamaja ime ka ardhur shumë shpesh dhe e kemi pasur bazë të familjes”, u shpreh belgu.
Në fund nuk mungoi as një thirrje “Kush nuk kërcen është kuqezi”, e sulmuesit belg, që rizgjoi entuziazmin e mijëra tifozëve zikaltër të grumbulluar në mbrëmjen gala të prezantimit në fanellave.