Kurti u drejtohet në gjuhën e tyre serbëve të Kosovës për vendimet e fundit: Besojini qeverisë tuaj

Kryeministri Albin Kurti u është drejtuar me një video-mesazh serbëve të Kosovës, lidhur me vendimet e Qeverisë për lëshimin e dokumentit hyrje-dalje në të gjitha pikat kufitare për qytetarët që posedojnë dokumente identifikuese të lëshuara nga autoritetet e Serbisë dhe regjistrimit të veturave që posedojnë targa ilegale të cilat do të kthehen në targa RKS, raporton Express.

Kurti u është drejtuar atyre në gjuhën serbe, ndërsa u ka bërë thirrje që t’i besojnë qeverisë së tij. Sipas tij, institucionet bartëse të këtij procesi kanë bërë përgatitjet e nevojshme ligjore dhe logjistike.

“Kur flasim për të drejtën dhe drejtësinë e me këtë edhe për sovranitetin shtetëror, duhet të flasim edhe për reciprocitetin në kuptim të përdorimit të letërnjoftimit në territori të shtetit tonë. Nuk duam që këtë veprim tonë ta kuptoni ndryshe, përveç si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaja, si nënshtetas të Republikës së Kosovës. Obligimi i Qeverisë tonë është që të mbrojë të drejtat tuaja nga veprimey diskriminuese, të cilët siç janë kërcënim ndaj shtetit, janë kërcënime ndaj gjithë neve, si shtetas të tij”, thotë Kurti në këtë video-mesazh.

Ai ka thënë se qeveria dhe ministrat e tij do të jenë në dispozicion për të gjithë ata që kanë paqartësi.

“Ju e dini që u jam drejtuar shumë herë me qëllim të vendosjes së komunikimit sa më të mirë ndërmjet nesh, pasi vetëm ashtu, së bashku, mund të sigurojmë të ardhme më të mirë dhe më të ndritur. Edhe kësaj radhe kërkoj nga ju besim dhe vullnet që së bashku të kalojmë nëpër këtë proces dhe përfundojmë regjistrimin. Qeveria ime, e me këtë të gjithë ministrat përgjegjës janë në dispozicion tuaj lidhur me çdo pyetje apo paqartësi që mund të keni lidhur me këtë temë.”

Kjo që po fillojmë ne tani, me 1 gusht, Serbia ka filluar ta zbatojë para 11 vitesh. Ne do të jemi në dispozicion duke dëshmuar që çdo veprim i yni është vetëm respektim i ligjit, i cili si i tillë, trajton secilin dhe të gjithë njësoj.  Besoni Qeverisë tuaj. Ju faleminderit”, ka deklaruar Kurti.