Kurti për Vuçiqin: President i frikës, i frikësimit dhe kërcënimit

Duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se Kurti po bëhet pengesë për dialogun, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e sotme për shtyp zbuloi se ishte paralajmëruar një takim i nivelit të lartë në Bruksel më 19 korrik po ishte shtyrë për një muaj.

Ai tha se Vuçiq po shfaqet si president i frikës dhe i kërcënimit ndërsa shtoi se për normalizim të plotë të marrëdhënieve është e domosdoshme që të lihen frikësimet dhe të orientohet nga vlerat evropiane.

“Dua të theksoj se me 19 korrik është dashur të mbahet një takim në Bruksel, unë kam qenë i gatshëm, pala tjetër nuk ka qenë e gatshme dhe e ka shtyrë takimin për së paku një muaj. Pra, gatishmëria nga ana e Republikës së Kosovës ka qenë në nivelin e kërkuar nga Brukseli por nga Beogradi mungonte gatishmëria. Tash unë po i dëgjoj nganjëherë deklaratat që vijnë nga prej kreut shtetëror të Serbisë. Jam kryeministër i shpresës dhe progresit dhe me keqardhje më duhet të konstatoj se presidenti i Serbisë po shfaqet si president i frikës, i frikësimit dhe kërcënimit. Për t’u integruar në BE për normalizim të plotë të marrëdhënieve është e domosdoshme që t’i lëmë frikësimet dhe kërcënimet dhe të orientohemi kah vlerat evropiane, nga fqinjësia e mirë, nga sanksionet ndaj Rusisë dhe nga ballafaqimi me të kaluarën që është i domosdoshëm në Serbi”, deklaroi Kurti