Kontrabandë me pije nga Serbia, konfiskohen 560 shishe birrë

Njësitë policore kufitare të Policisë së Kosovës kanë bërë parandalimin e kontrabandimit me mallra në dy raste të ndryshme.

Bëhet fjalë për një sasi pije alkoolike, birrë, e cila është provuar që të kontrabandohet nga Serbia në Kosova.

“Me datë 19.07.2022 rreth orës 07:00 Policia e Kosovës gjatë vëzhgimit dhe pritës afër vijës kufitare Kosovë – Serbi bazuar edhe në analizën e riskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të policisë kufitare, kanë identifikuar dy vetura të ndryshme njëra me targa të Serbisë dhe tjetra me targa vendore, që të dyja me ngasës dy të dyshuarit meshkuj kosovarë.

Gjatë kontrollit të realizuar tek vetura e parë janë gjetur sasi e pijeve alkoolike 26 arka –birrë me gjithsej 520 copë, ndërsa tek vetura e dytë janë gjetur 24 arka (me birrë) dhe 80 shishe birrë, në total gjithsej 560 copë”, thuhet në kumtesën e policisë.

Malli i sekuestruar thuhet se do t’i dorëzohet Doganës së Kosovës.