Në seancën disa orëshe, në qendër të të cilës ishte teksti i Marrëveshjes Themelore, që duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, qeveria malazeze miratoi propozimin që ka ndezur debate të thella në vend.
Nga 18 ministra të pranishëm, 13 votuan në favor të draftit, sipas mediave vendase. Pavarësisht kundërshtimit të ministrave Ranko Krivokapić dhe Raško Konjević, kreu i ekzekutivit malazez, Dritan Abazovic deklaroi pas më shumë se 4 orë diskutimesh se kishte mbështetje për tekstin, edhe pse siç tha ai, do të dëshironte që përfundimisht, zgjidhja e kësaj çështjeje të lihej për vjeshtë dhe të arrihej një konsensus për pikat që kanë të bëjnë me gjyqësorin.
Mos e shikoni nga ana materiale, por shiheni në mënyrë të tillë që nesër të jemi krenarë të gjithë që kontribuuam që njerëzit e përkatësive të ndryshme fetare të pajtohen. “, u shpreh shefi i ekzekutivit. Por zv/kryeministri Konjevic, insistoi se teksti që është përgatitur brenda vetëm dy ditësh, nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.
Miratimi pa konsultime bën që qeveria të humbasë shumicën parlamentare që e ka mbështetur deri tani, u shpreh politikani i SDP. Versioni i tekstit, për të cilin kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, thonë se është harmonizuar, por ai po kontestohet nga një pjesë e opinionit.
Në mesin e kundërshtarëve të nënshkrimit të tekstit aktual të Marrëveshjes janë Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanovic, e cila nuk ka ministra në Qeveri, por i jep mbështetje parlamentare, SDP-ja, një pjesë e opozitës, shoqatat kombëtare malazeze, e një pjesë e sektorit joqeveritar… Ata konsiderojnë se Marrëveshja Themelore e propozuar e vendos kishën serbe mbi shtetin e Malit të Zi dhe e përkthen trashëgiminë kulturore dhe fetare malazeze në atë serbe.