Irani planifikon të furnizojë Rusinë me dronë luftarakë

Irani planifikon të furnizojë Rusinë me qindra dronë luftarakë për t’i përdorur për luftën në Ukrainë, ka thënë një zyrtar amerikan.

BBC shkruan se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se informacioni që SHBA ka siguruar sugjeron se Irani po përgatitet të trajnojë forcat ruse për të përdorur dronët.

Zyrtari amerikan tha se është e paqartë nëse Irani i ka dorëzuar ose jo dronët Rusisë.

Autoritete iraniane kanë deklaruar se bashkëpunimi teknologjik me Rusinë i ka fillimet përpara se të fillonte pushtimi rus i Ukrainës, pa konfirmuar ose mohuar pretendimin e SHBA-vë.

“Nuk ka pasur ndonjë zhvillim të veçantë në këtë marrëdhënie kohët e fundit,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani Chafi, i cituar nga agjencia iraniane e lajmeve Fars.