Grenell, që bëri bujë me deklaratat e fundit, e nis ditën me vrap në Tiranë

Madje, ai e ka bërë të ditur se ditën në kryeqytetin shqiptar e nisi me vrapim, njofton Klankosova.tv.

“Vrapi i mëngjesit i së shtunës rreth Tiranës është një mënyrë e shkëlqyer për të nisur ditën”, ka shkruar ai në Instagram, bashkangjitur fotografive nga sheshi i Tiranës.

 

Richard Grenell u rikthye në vëmendje ditëve të fundit me deklaratat e tij që nxitën shumë reagime.

Ai, në një ligjëratë para studentëve të Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Beogradit, më 13 korrik tha se KFOR-i duhet të tërhiqet nga Kosova pasi, sipas tij, në këtë mënyrë po e zgjat konfliktin.

Grenell beson se “dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli ku përmendet njohja e pavarësisë së Kosovës nuk e zgjidh problemin”.

Ai po ashtu e fajësoi kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe BE-në për dështimin në arritjen e marrëveshjeve Kosovë-Serbi.

Ish-i dërguari i Donald Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, dy ditë më vonë, bëri një deklaratë tjetër të fortë.

Ai tha se kryeministri Albin Kurti nuk është lider i mirë dhe se të tjerët para tij kanë qenë më të mirë, duke e veçuar ish-presidentin Hashim Thaçi.

Madje, Grenell deklaroi se “evropianët nuk duhej ta vendosnin Hashim Thaçin në Hagë”.