Inspektorati i Komunës së Malishevës, në një aksion të zhvilluar gjatë këtyre ditëve në markete të ndryshme, ka hasur në produkte me afat të skaduar dhe si pasojë janë shqiptuar 20 gjoba.
Kështu, sot ka bërë të ditur, drejtoresha e Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Malishevës, Besartë Kryeziu-Ramaj, sipas së cilës, mallrat e konfiskuara, janë asgjësuar, ndërsa marketet dhe pronarët e tyre, janë gjobitur sipas ligjeve në fuqi, njofton Komuna e Malishevës.
Ajo ka bërë të ditur, se gjatë kontrollit është hasur në produkte me afat të skaduar, kryesisht në produkte ushqimore, kozmetikë dhe produkte tjera.
“Drejtoresha Kryeziu-Ramaj, ka bërë të ditur se kontrolli do të jetë i vazhdueshëm, por gjithashtu ju bën thirrje konsumatorëve, që sa herë që hasin në produkte me afat të skaduar, të njoftojnë inspektoratin komunal”, thuhet tutje në njoftimin për media.