Është kulmi i verës, por ngjan si pranverë: Sezon ‘i dështuar’ në Budva – më mirë nuk qëndrojnë as pjesët tjera në Mal të Zi

Sezoni turistik në Budva të Malit të Zi, edhe pse jemi në kulmin e verës, ngjan sikur të ishte në parasezon.

Kështu ka shkruar mediumi vendas Vijesti.me, sipas të cilit kjo nxjerr në shesh të gjitha problemet me të cilat përballet Budva prej vitesh – “nga një strategji e keqe, praktikisht inekzistente e zhvillimit të turizmit, një koncept i paqartë nëse dëshiron të jetë një destinacion elitar apo masiv turistik, një qytet argëtimi apo një vend për pushime”, përcjell Telegrafi.

Arsyeja pse vetëm një e treta e akomodimit privat në qytet është aktualisht e zënë dhe që edhe hotelierët nuk mund të mburren me kapacitetin e plotë, zyrtarët e turizmit e shohin në mungesë të mysafirëve ukrainas dhe rusë, si dhe turistëve nga rajoni, të cilët tradicionalisht ishin kyç për frekuentim i mirë në kulmin e verës.

Dhe mungesa e tyre nuk u kompensua nga tregjet e tjera.

Anëtari i Shoqatës së Hotelierëve të Budvës, hoteleri Ivan Ivanoviq ka bërë të ditur për “Vijesti” se sezoni ishte nën të gjitha pritjet.

Siç ka shtuar ai, numri i të ftuarve në hotele është dukshëm më i ulët se vitin e kaluar.

“Për të mos folur për akomodimin privat, i cili në këtë periudhë ishte i ‘mbushur’ kryesisht me mysafirë nga Lindja dhe tregu i rajonit i cili po ashtu dështoi, sidomos nga Serbia. Pra, ne po paguajmë për gjithçka që kemi bërë vitet e fundit, pra mungesën e një strategjie serioze për të kompensuar mungesën e një tregu të caktuar”, citohet të ketë thënë Ivanoviq, përcjell Telegrafi.

Ndërsa drejtoresha e Shoqatës së Ofruesve Privatë të Akomodimit në Mal të Zi, Branka Gjoganoviq (Džoganović), ka treguar për “Vijesti” se kemi hyrë në pikun e sezonit turistik, dhe se zënia e kapaciteteve private akomoduese aktualisht është rreth 30 për qind.

“Një numër i konsiderueshëm i të ftuarve, në bazë të rezervimeve të konfirmuara, pritet deri më 20 korrik. Ata janë kryesisht mysafirë nga rajoni dhe diaspora. Gjithashtu, kemi gjithmonë një numër të caktuar të ftuarish që vijnë pa rezervim apo njoftim. Në lidhje me njoftimet që kemi pasur në periudhën përgatitore, zënia e kapaciteteve është dukshëm më e ulët, gjë që u duk tashmë në maj dhe kjo duhet të ishte një sinjal se duhej të bënim diçka. Por ne ende veprojmë spontanisht, të paorganizuar në nivel lokal dhe këtë e paguajmë çdo vit me një sezon gjithnjë e më të shkurtër. Kjo nuk vlen vetëm për Budvën, por pak a shumë për të gjitha komunat”, ka theksuar ajo.