Çmimi i rrymës në rritje, paralajmërohet krizë energjetike në Kosovë në dimër

Kosovën, me sa duket, e pret një dimër i vështirë, sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Çmimet e energjisë në berzat ndërkombëtare janë të larta dhe jostabile. Lëvizjen e tyre e ka shkaktuar fillimisht pandemia e koronavirusit, ndërsa hov të madh kanë marrë edhe pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në fund të shkurtit.

Zëdhënësi i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), Viktor Buzhala, thotë se çmimet e energjisë elektrike në berzë janë katërfishuar, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

“Vitin e kaluar, gjatë stinës së verës, çmimi për megavat energji elektrike ka qenë rreth 100 euro… Deri në fund të vitit ka shkuar në 600 euro për megavat. Aktualisht është 400 euro për megavat”, thotë Buzhala për Radion Evropa e Lirë.

Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.

Sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZREE), Kosova ka importuar vitin e kaluar 1.311.461 megavate rrymë.

Pavarësisht ndihmesës me import, qytetarët janë përballur shpesh me reduktime të rrymës, sidomos në dhjetor – për ç’gjë ekspertët e çështjeve energjetike kanë fajësuar autoritetet vendimmarrëse për, siç kanë thënë, mungesë strategjish.

uzhala tregon se KEDS-i është duke bërë disa përgatitje për dimër.

“Jemi duke bërë revizionimin e rrjetit… Jemi duke bërë zëvendësimin e pajisjeve që mund të mos jenë në gjendje të mirë”, thotë ai, duke u bërë thirrje edhe qytetarëve të Kosovës, që të përpiqen të kursejnë sa më shumë rrymë.

Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është i lartë, për shkak se shumë amvisëri ngrohen me rrymë, duke përdorur pajisje joefiçiente, apo të tilla që shpenzojnë më shumë energji elektrike.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila është përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike, thonë se kanë nisur, po ashtu, përgatitjet për stinën e dimrit.

Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, thotë se, aktualisht, po bëhet riparimi i njësive prodhuese të termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.

Këto termocentrale, që gjenden në Obiliq, prodhojnë rreth 500 megavate energji elektrike në orë, pra shumë më pak se kërkesat për konsum.

Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e tyre.