Nga Francesco Bechis “Formiche.net”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
“A keni frikë për jetën?”. “Jo”. Boris Bondarev nuk heziton në asnjë moment. Për shumicën e njerëzve, emri i tij nuk ka një domethënie të madhe. Një diplomat rus, si shumë të tjerë. 20 vite në shërbim të atdheut, një karrierë e gjatë që kulmoi me misionin rus në OKB në Gjenevë. Por Boris Bondarev nuk është një nga diplomatët e shumtë rusë.
Ai është zyrtari i parë i qeverisë ruse që e dënoi publikisht pushtimin e Ukrainës. Dhe deri më sot mbetet i vetmi. Një muaj më parë, një letër e hapur, që u pasua me dorëheqjen e tij të menjëhershme bëri xhiron e botës. “Nuk kam pasur kurrë më shumë turp për vendin tim se sa më 24 shkurtin e këtij viti”, është fillimi i një akuze të gjatë kundër Vladimir Putinit dhe regjimit të tij.
Letra e tij ishte aq e sinqertë dhe aq e papritur saqë trondit të gjithë në Ministrinë e Jashtme të drejtuar nga Sergei Lavrov. Një muaj më vonë, Bondarev flet për Formiche.net në një intervistë ekskluzive nga një vend i sigurt ku qëndron i fshehur.
Kur vendosët ta shkruanit atë letër?
Ditën e fillimit të pushtimit, më 24 shkurt. M’u desh pak kohë për ta rishikuar dhe modifikuar.
Pse e shkruat?
Ishte e qartë se dorëheqja nga detyra në heshtje nuk do të mjaftonte për të bërë diferencën. Nëse nuk do ta kisha shkruar, nuk do të kisha mundur të thosha atë që ishte detyra ime ta thoja. E dija që letra ime do të qarkullonte, se shumë do ta lexonin duke kuptuar se jo të gjithë zyrtarët rusë janë bashkëpunëtorë në luftën e Putinit.
A ishte vërtet i pamundur vazhdimi i punës për qeverinë ruse?
Situata ishte përkeqësuar shumë vitet e fundit. Por vetëm më 24 shkurt, e kuptova se të qëndroja qoftë edhe 1 minutë më shumë në atë post, do të thoshte të tradhtoja veten, parimet e mia. Sot, administrata shtetërore është plot me njerëz që janë mësuar t’u thonë “Po” shefave të tyre, për çfarëdo gjëje që ata thonë apo bëjnë. Ata vetë nuk kanë asnjë mendim, dhe nëse e kanë nuk e shprehin. Unë nuk e di se cila nga të dyja është më e keqe.
Në letër ju shkruani se pushtimi i Ukrainës është “një krim” kundër së ardhmes së Rusisë. Mund të na shpjegoni arsyen?
22 vitet e Vladimir Putinit në pushtet, kanë qenë një humbje e madhe kohe për Rusinë. Me një pozitë të mirë në tregjet globale, çmimet në rritje të naftës, gazit dhe mallrave të tjera të eksportit, dhe një autoritet të fortë mbi rusët, Putin mund të kishte arritur gjithçka në vitet 2000.
Ai mund ta kishte përdorur fuqinë dhe autoritetin e tij për të kryer reformat e shumëpritura, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të lirë. Ai synon që të mbahet mend si një burrështetas i madh. Por në vend të kësaj, ai zgjodhi të ndërtojë një diktaturë personale, për t’i lejuar vetes dhe miqve të tij të fitojnë miliarda dollarë, të zotërojnë pallate dhe jahte, duke e shtypur opozitën dhe privuar miliona njerëz nga shpresa për një të ardhme më të mirë.
Sot situata është ndryshe. Ekonomia është në kolaps, njerëzit po varfërohen dhe humbasin çdo perspektivë. Mbështetja e Putinit në radhët e shoqërisë nuk është aq solide dhe e palëkundur sa dikur. Jo të gjithë brezat e rinj janë fansa të tij.
Çfarë është i gatshëm të bëjë Putin?
Të shkatërrojë cilindo që mund t’i rezistojë. Kjo është arsyeja pse mijëra rusë po largohen nga vendi i tyre. Të rinj, të arsimuar, profesionistë, krijues. Pa ta Putin mund të mbetet lehtësisht në pushtet, pasi mund të mbështetet tek grupimet sociale më të varfra dhe më injorante, të cilt janë bërë të tilla nga politikat dhe marrosja pas propagandës së tij.
Çfarë frike keni për vendin tuaj?
Putini do ta izolojë Rusinë nga bota. Do ta bëjë atë një vend më të varfër dhe të pazhvilluar. Lufta i afrohet synimit të tij, prandaj them se është një krim kundër së ardhmes së rusëve. Për të mos përmendur se marrëdhëniet tona me Ukrainën, një nga vendet fqinje më të afërta me ne, të cilat do t’i humbasim plotësisht për dekada dhe breza të tërë. Edhe kjo është një tragjedi.
A ka ende vend për disidencë në radhët e diplomacisë ruse?
Të jem i sinqertë, nuk mendoj se ka një numër të madh diplomatësh rusë, që janë të gatshëm
të ngrenë zërin kundër luftës. Dikush mund të vendosë të largohet në heshtje, dhe kjo tashmë ka ndodhur. Shumica zgjedhin servilizmin. Disa për të bërë karrierë, disa për arsye të tjera. Ka nga ata që preferojnë të besojë verbërisht atë që thotë qeveria. Natyrisht, shumica kanë frikë nga një hakmarrje e mundshme.
Ku po shkon sot Rusia?
Drejt një poshtërimi të thellë, dhe po e bën këtë për shkak të një njeriu që vendos i vetëm për një vend prej 140 milionë banorësh, ku askush nuk është në gjendje ta kundërshtojë. Të paktët që kanë pasur guximin ta bëjnë këtë kanë vdekur, janë në burg ose në internim. Sot Rusia nuk mund të zgjedhë asgjë.
Si ndryshoi sistemi rus me Putinin?
Tani evolucioni në një regjim fashist është i plotë. Një regjim i destinuar të bëhet gjithnjë e
më shtypës nga brenda, dhe gjithnjë e më shumë luftarak dhe agresiv nga jashtë. Mbetet të shpresojmë që diçka të ndryshojë. Unë ëndërroj që Rusia do të ndërtojë një ditë një shoqëri të re, moderne, të lirë, ku të gjithë gëzojnë të drejta dhe ato të drejta mbrohen.
Çfarë prisni nga Italia dhe Evropa? Çfarë mund të bëjnë ato për të ndalur luftën?
Të ndalojnë së telefonuari çdo ditë Putinin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Churchill nuk i telefonoi asnjëherë Hitlerit për ta bindur se e kishte gabim. Ata duhet ta kuptojnë se regjimi i Putinit është kërcënimi kryesor për sigurinë e Evropës. Mos mendoni se sapo të pushtohet Ukraina, ai do të jetë i kënaqur me kaq.
Do të vazhdojë më tej?
Sigurisht. Regjimi po humbet terren, është më pak i paprekshëm nga sa duket. Nga jashtë duket se Putin gëzon një mbështetje popullore të madhe. Por e vërteta është se mbështetësit e tij të vërtetë, ata që janë gati të luftojnë për të, janë një pakicë, edhe pse e zëshme. Të tjerët janë të tmerruar ose thjesht nuk e kanë idenë se kush mund ta sfidojë këtë president.
Çfarë lidhje ka kjo me luftën?
Putini duhet t’u shesë diçka mbështetësve të tij dhe rrethit të tij të ngushtë. Një fitore e vogël në Donbas nuk do të mjaftojë. Ai premtoi të pushtojë të gjithë Ukrainën. Do të ketë gjithnjë e më shumë nevojë për “fitore”. Nesër mund të jetë Kievi dhe i gjithë vendi, pasnesër aneksimi i Bjellorusisë, pas kësaj Moldavia apo edhe Baltiku. Putin ka nevojë të pretendojë vetëm fitore ushtarake, asgjë tjetër. Prandaj, lufta nuk do të përfundojë sa kohë që ai të jetë në pushtet.
A ka ndonjë mënyrë për të ndaluar përshkallëzimin?
Mënyra e vetme për ta ndalur, është ta mposhtni në fushën e betejës. Vetëm një disfatë ushtarake, një disfatë e vërtetë, që është e pamundur për t’ua fshehur rusëve, mund t’i japë goditjen përfundimtare diktaturës.
Pse?
Rusëve nuk u pëlqen të shohin një humbës në pushtet. Është ligji i një tufe ujqërish, dhe është ligji përmes të cilit Putin po e udhëheq vendin. Përballë një krize ekonomike, sanksioneve të ashpra dhe perspektivave të zymta, çdo qeveri pas Putinit do të detyrohet të ndalë luftën dhe të negociojë paqen, me apo pa dashjen e saj.
Çfarë mendoni se duhet të bëjë Perëndimi?
Qëndroni të bashkuar dhe të palëkundur, pa u përpjekur ta shkëmbeni sigurinë e tij dhe pjesët e territorit ukrainas me një “paqe” imagjinare, e cila do të shkaktojë së shpejti një luftë tjetër të përgjakshme. Lutjet dhe bindjet nuk do ta ndalin agresorin. Putin do të kuptojë vetëm gjuhën e forcës dhe vendosmërisë. Thënë thjesht: të mbështesësh Ukrainën do të thotë të vazhdosh luftën. Por nëse bie Ukraina, lufta nuk do të përfundojë. Do të ketë viktima të tjera.
/abcnews.al