Berisha për PRESSonline: Ballkani Hapur rreshton Maqedoninë e Veriut në anën e gabuar në rajonin tonë
Iniciativa Ballkani Hapur sjell vetëm sherr në rajon dhe nuk do ta pranojmë kurrë këtë nismë trilaterale Beograd – Tiranë – Shkup, thotë në një prononcim ekskluziv për PRESSonline, lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), Sali Berisha. Ai thotë se opozita është e prerë për procesin e Berlinit i cili është një bashkëpunim rajonal midis vendeve të barabarta dhe sipas standardeve për sa i përket tregtisë së lirë tashmë të provuara të Bashkimit Evropian.
“Ballkani Hapur do ta shpërbej opozita shqiptare! Ne nuk do pranojmë kurrë këtë nismë as si aleancë trilaterale Beograd – Tiranë – Shkup që sjell vetëm sherre në rajon, as dhe në çdo formë tjetër që do të vendos hegjemoninë serbe në gadishullin tonë e cila është provuar se shkaktoj ndër luftërat më të përgjakshme në fundin e shekullit që kaloj. Ne si opozitë jemi të prerë për procesin e Berlinit i cili është një bashkëpunim rajonal midis vendeve të barabarta dhe sipas standardeve për sa i përket tregtisë së lire tashmë të provuara të Bashkimit Evropiane”, deklaroi Berisha për PRESSonline.mk
Berisha pret kundërshtim ndaj iniciativës Ballkani Hapur edhe nga opozita në Maqedoninë e Veriut, pasi që siç shprehet ai, kjo iniciativë e rreshton Maqedoninë e Veriut në drejtim të gabuar.
“Uroj që edhe opozita e Maqedonisë së Veriut të kundërshtoj nismën e Ballkanit të Hapur si një nismë e cila në vlerësimin tim rreshton Maqedoninë e Veriut në anën e gabuar në rajonin tonë”, nënvizoi Berisha. (PRESSonline.mk)