Qeveria belge ka argumentuar se traktati do të siguronte lirimin e punëtorit humanitar belg Olivier Vandecasteele që është arrestuar në Iran n muajin shkurt.
Parlamenti belg ratifikoi traktatin me Iranin të mërkurën në mbrëmje që i lejon Brukselit të lirojë terroristin iranian të dënuar për tentim të sulmit terrorist të një tubimi të opozitës iraniane. Votat e deputetëve ishin 79 për dhe 41 kundër.
Tani Brukseli do të mund të lirojë Assadollah Assadi, që ka vuajtur vetëm 1 vit nga 20 vite sa ishte dënimi për komplotin e vendosjes së bombës në një tubim të grupit opozitar iranian, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit.
Një profesor i universitetit të Brukselit Ahmadreza Djalali, me shtetësi të dyfishtë belge dhe suedeze poashtu mbahet nga regjimi fanatik iranian që nga 2016 me akuza të dyshimta të spiunazhit.
Deputeti belg Francois de Smet, lideri i opozitës belge nga partia Defi, ka shkruar në Twitter: “Belgjika dërgoi mesazhin se drejtësia shitet”.
Kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme në Senatin Amerikan, Robert Menendez, ka shkruar në Twitter në fillim të korrikut “se një traktat Belgjikë-Iran duhet që t’i respektojë obligimet ndërkombëtare dhe nuk mund t’i lejojë imunitet ndaj Assadollah Assadi apo çdo aktor tjetër përgjegjës për shkelje të të drejtave njerëzore dhe shkelje si akte të terrorizmit. Irani duhet të mbahet përgjegjës për mbështetjen e terrorizmit dhe mbajtjen e pengjeve për shantazh.”
Një grup prej 13 kongresmenësh amerikanë i kanë dërguar letër kryeministrit belg De Croo, duke i kërkuar që të mos lirohet Assadi.