“BE duhet të përgatitet për një ndërprerje të plotë të gazit rus”

Europa duhet të përgatitet për një ndërprerje të plotë të gazit natyror rus “herët a vonë”, paralajmëroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një intervistë për Agjencinë Gjermane të Lajmeve (DPA).

“Aktualisht, Rusia furnizon pjesërisht me gaz natyror, ose aspak, 12 shtete anëtare të BE-së”, tha Von der Leyen.

“Prandaj, Evropa duhet të përgatitet për skenarin më të keq: një ndërprerje të plotë të furnizimeve me gaz natyror , herët a vonë,” tha ajo.
Presidentja e Komisionit u bëri thirrje vendeve që janë më pak të varura nga furnizimet me gaz natyror rus që të bashkojnë gjithashtu përpjekjet për të kursyer energjinë.

“Edhe [shtetet anëtare], të cilat nuk marrin pothuajse asnjë litër gaz natyror nga Rusia, nuk mund të shmangin pasojat e një ndërprerjeje të mundshme të furnizimit në tregun tonë të brendshëm,” tha von der Leyen.

Ekonomitë në Bashkimin Evropian , tha ajo, janë të ndërlidhura ngushtë, kriza e gazit natyror do të prekë të gjitha vendet anëtare në një formë ose në një tjetër.

“Prandaj, është e rëndësishme që të gjitha shtetet anëtare të reduktojnë konsumin e tyre në mënyrë që të gjithë të kursejnë më shumë gaz dhe ta ndajnë atë me ata anëtarë që kanë vuajtur më shumë”, theksoi Presidentja e Komisionit Evropian, duke shtuar se”Solidariteti energjetik është një parim bazë i traktateve evropiane” .

Propozimet e Komisionit Evropian do të diskutohen në një takim të posaçëm të ministrave të energjisë të BE-së të martën në Bruksel.

Von der Leyen shprehu besimin se propozimet e Komisionit do të marrin miratim të gjerë.

“Unë jam e sigurt se ministrat e energjisë janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre,” tha ajo. “Bëhet fjalë për krijimin e një sistemi sigurie për të gjithë, në mënyrë që vendet anëtare të mund të mbijetojnë të sigurtë dy dimrat e ardhshëm”, vuri në dukje presidentja e Komisionit.

Komisioni Evropian ka propozuar uljen e konsumit të gazit natyror me 15% nga fundi i shtatorit deri më 31 mars 2023. Megjithatë KE po përballet me refuzimin e disa vendeve, si Spanja , Portugalia dhe Greqia.