A do ta bëjë Ahmeti dhe Osmani gjuhën shqipe “Albanian language” dhe pa përqindje?


Nga Selim Ibraimi–“Përfitimi më i madh i këtij procesi për të cilin kanë luftuar breza të tërë, për të cilin ne kemi luftuar në 90% të kohës, ishte që të mbyllet një herë e përgjithmonë çështja e gjuhës, e cila duket hapur se ishte i kontestueshëm në BE. Në kornizë zyrtarizohet gjuha maqedonase dhe si e tillë futet në mesin e 25 gjuhëve evropiane. Do të qëndrojë në tabelë në BE, siç qëndrojnë gjuhët e tjera, do të ketë edhe butonin “Macedonian language” gjithnjë, në çdo dokument”, ka deklaruar në një konferencë shtypi Bujar Osmani, ministër për Punë të Jashtme i Maqedonisë së Veriut.

Tash pasi debati politik dhe publik po nxehet aq shumë në Maqedoninë e Veriut (MV) në mes pushtetit dhe opozitës maqedonase rreth pranimit apo jo të propozimit francez, lindin disa pyetje dhe dyshime nëse 20 përqindëshi me ndryshimet kushtetuese do të largohet. Dihet se 20 përqindëshi ju referohet shqiptarëve. Pasi liderët tanë qysh moti kanë shprehur gadishmëri për ta bërë këtë lëvizje, deri më tani nuk kemi nisma serioze apo një debat se kur do të bëhet dhe si.

Argumenti tjetër është se për aq sa partia shqiptare në pushtet BDI e Ali Ahmetit dhe zyrtarë të tij angazhohen për çështjen maqedonase identitetin dhe historinë e bashkëqytetarëve tanë, do të ishte mirë që vëmendjen ta kthejnë edhe kah vetja nga votuesit, për të parë gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Për ta mos e tepruar shumë, përdorimi dhe zbatimi i gjuhës shqipe është për tu dëshiruar në MV.

Pasi liderët tanë e sidomos ata në pushtet në krye me z. Ahmeti dhe ministrin e Jashtëm Osmani janë aq të zëshëm për gjuhën maqedonase në BE dhe me Sofjen, atëherë detyrimisht lind pyetja logjike nëse Ahmeti dhe Osmani do ta largojnë 20 përqindëshin dhe do ta bëjnë gjuhën shqipe dhe statusin juridik të barabartë me maqedonishten dhe maqedonasit? Dilema tjetër është se votuesit dhe opinioni ka shumë rezerva për këtë politikë të integristëve (blu–gjelbër) dhe pritjes me dekada për ndryshime.

Për lexuesit e jashtëm është me rëndësi të njoftohen se gjuha shqipe është pjesërisht zyrtare dhe vetëm disa pjesë të vendit ku popullata shqiptarë është 20 për qind dhe nuk është gjuhë zyrtare për përdorim ndërkombëtar ose në pjesën dërmuese të shtetit. Shumë pak përdoret dhe zbatohet në MV, por tepër është premtuar nga partitë e sidomos nga partia e Ahmetit (BDI). Pasi Kushtetuta e MV do të hapet për bullgarët, do të ishte mirë që politikanët tanë të bëjnë diçka të mirë edhe për votuesit e tyre dhe ta largojnë përqindjen kufizuese.

Së bashku në të gjitha betejat. Politikanë dhe ushtarë të fatit!