​Ende s’ka datë për takimin Kurti-Vuçiq, i njëjti mund të ndodhë në gjysmën e dytë të korrikut

Përkundër paralajmërimeve për një takim në muajin korrik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende s’ka një datë zyrtare. Mirëpo, takimi i tretë i nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, mund të ndodhë në gjysmën e dytë të korrikut.

Nga Qeveria e Kosovës thonë se janë në pritje të ftesës për takim, por kjo varet nga ndërmjetësuesit e dialogut, ndërsa nga Bashkimi Evropian nuk tregojnë ndonjë datë për takim, por shtojnë se të njëjtën do të deklarojnë kur do të jetë e nevojshme.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi, thotë për KosovaPress, se për takimin Kurti-Vuçiq është folur nëpër takime të ndryshme, mirëpo ende s’ka diçka konkrete.

Ajo bën të ditur se para takimit të nivelit të lartë do të ketë takim të kryenegociatorëve.

“Është folur nëpër takime të ndryshme mundësia për takim të kryenegociatorëve dhe pastaj edhe të krerëve shtetërorë, Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë. Mirëpo ende nuk ka ftesa zyrtare. Nëse do të ngjajnë këto takime, ato do të jenë në gjysmën e dytë të korrikut. Kjo varet nga ndërmjetësuesit në Bruksel, z.Borrell dhe z.Lajçak”, thotë ajo për KosovaPress.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje për KosovaPress, tha se për datën dhe agjendën e takimit do të njoftojnë kur do të jetë e nevojshme.

“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë çdo takim të ardhshëm të dialogut nëse dhe kur është e nevojshme”, tha shkurt ai.

Takim Kurti-Vuçiq gjatë muajit korrik, pret edhe njohësi i procesit të dialogut, Gazmir Raci.

Ai thotë se përkundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet, s’ka arsye të forta për t’u ndalur dialogu.

“Nuk ka arsye të forta për t’u ndaluar procesi i dialogut të Brukselit. Edhe të kaluarën kemi pasur shumë vendime të njëanshme të institucioneve të Kosovës, por asnjëherë ato nuk e kanë rrezikuar në masë të madhe zhvillimin e dialogut. Palët tashmë duhet të koncentrohen në arritjen e marrëveshjes finale në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e fuqishme që po i japin ShBA-të. Andaj, energjinë mbështetëse ndërkombëtare duhet të fokusohen në drejtim që dy palët të ulen përfundimisht në tryezën e bisedimeve në nivelin më të lartë të mundshëm, pasi nuk duhet të humbet kohë më në çështje teknike dhe t’i jepet fund procesit të dialogut që ka filluar prej vitit 2011 e këndej”, thotë ai për KosovaPress.

Optimist për takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, u shpreh edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, javën e kaluar në formumin e Dubrovnikut në Kroaci. Madje, paralajmëroi se janë disa marrëveshje ndërmjet dy vendeve gati për t’u nënshkruar.

Pas arritjes së marrëveshjes për energjinë më veri, u paralajmërua se shumë shpejt mund të ndodhë takimi i nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi. Mirëpo, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në letërnjoftime dhe largim të targave ilegale serbe në vend, presidenti serb, Vuçiq, mohoi një takim të tillë.

Kurti dhe Vuçiq në kuadër të dialogut të Brukselit janë takuar vetëm dy herë, ndërsa takimin e tretë joformal e kanë pasur muaj më parë në Berlin.