Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka dhënë së fundmi një intervistë me rrjetin televiziv amerikan NBC. “Lufta do të përfundojë me fitoren e Ukrainës. Sado e vështirë të jetë, ne duhet t’i dëbojmë pushtuesit nga toka jonë”, është shprehur presidenti.
Zelenskiy foli për luftën, për pavarësi, rëndësinë e mbështetjes së botës së qytetëruar, situatën aktuale në fushën e betejës dhe procesin e tij të vendimmarrjes.
“Për mua, ishte gjithmonë shumë e rëndësishme që Ukraina të mos bëhej një ‘zonë tampon’. Populli ukrainas zgjodhi rrugën evropiane, vlerat përkatëse. Këto vlera korrespondojnë në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainë. Dhe ne duam të jemi pjesë e këtyre vlerave.
Megjithatë, një herë e një kohë ishte Bashkimi Sovjetik, ne ishim pjesë e këtij shteti. Ne ishim pjesë e këtij Bashkimi Sovjetik. Prindërit tanë kanë lindur atje dhe unë kam lindur, në ato kohë. Megjithatë, sot ne duam të jemi të pavarur.
Edhe para Bashkimit Sovjetik, ukrainasit donin të kishin tokën e tyre, traditat e tyre dhe besoj se kjo është normale nëse respektohet zgjedhja e sovranitetit të Ukrainës. Më në fund kemi pavarësinë dhe e shihni sa fort po luftojmë për të dhe si po luftojmë për këto vlera”, ka thënë Zelensky. /abcnews.al