Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq kanë arritur në Ohër për të marrë pjesë në samitin e “Open Balkan”.
Në ndërkohë atyre pritet që t’iu bashkohet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Samiti i “Open Balkan” – ku do të marrin pjesë Maqedonia e Veriut si nikoqire, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia – do të mbahet sot dhe nesër.
Kjo është herë e parë ku në një takim të “Open Balkan” po merr pjesë përfaqësuesi i Malit të Zi, kryeministri Dritan Abazoviq, pasi deri tani ky vend e ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë nismë rajonale.
Por, është Kosova që s’ka ndryshuar qëndrim dhe vazhdon ta kundërshtojë këtë nismë rajonale. Kryeministri kosovar, Albin Kurti, e ka refuzuar ftesën e homologut të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaqevski.
Është edhe vendi tjetër i gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor, Bosnja e Hercegovina, e cila nuk merr pjesë në këtë iniciativë rajonale.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev janë nismëtarët e kësaj nisme rajonale e cila ka për qëllim krijimin e një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.