Vrasje në Sarandë, dyshohet se ndodhi pas konfliktit për një varkë

Ka vdekur i plagosuri në Sarandë, Kledi Koka, i cili ishte pronar i një anije turistike në Sarandë.

43-vjeçari u qëllua me thikë, disa orë më parë në shëtitoren e qytetit bregdetar, pranë vendit të quajtur ‘Limani’.

Koka kishte marrë plagë të thellë në mushkëri dhe kishte humbur shumë gjak.

Nga Tirana kishte mbërritur helikopteri, por ishte e kotë, pasi 43-vjeçari fatkeqësisht kishte vdekur. Trupi i tij është dërguar në morgun e qytetit.

Policia ka arrestuar disa orë më parë autorin, Genti alias Jorgo Golemi, 43 vjeçar, peshkatar, i dënuar më parë në Greqi për “trafik droge” dhe në Sarandë për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municionit”.

Kjo pasi në vitin 2006, ai ishte arrestuar nga policia me 400 gramë marihuanë, kapsolla detonatore dhe fitila zjarrpërcjellës.
Burimet bëjnë me dije se Koka dhe Golemi ishin konfliktuar më herët për shkak të parkimit të një varke në limanin e qytetit.