Në kantierin e anijeve ‘MTG Dolphin’ pranë Varnës, u mbajt ceremonia e vendosjes së boshtit për anijen e re ushtarake patrulluese ‘Hrabri’, të Marinës Bullgare, e cila ka shumë funksione. Në ceremoni morën pjesë, presidenti njëkohësisht komandanti suprem i Forcave të Armatosura Bullgare, Rumen Radev, ministri i Mbrojtjes Dobromir Zakov, shefi i Mbrojtjes Admirali, Emil Eftimov dhe komandanti i Marinës, Admirali Kiril Mihailov.
Me anë të kësaj ceremonie ka nisur në fakt ndërtimi i anijes. Ndërtimi i një anijeje të dytë ushtarake patrullimi është planifikuar të fillojë në fillim të vitit 2023.
Duke folur në këtë ceremoni, presidenti Radev tha se Bullgaria është rikthyer në hartën e ndërtimit të anijeve ushtarake. Ai tha se lufta moderne kërkon nga marina bullgare një gamë të gjerë aftësish.
Në fjalën e tij, ministri Zakov tha se modernizimi i përshpejtuar dhe riarmatimi i forcave të armatosura bullgare nuk ka alternativë.
Shefi i Mbrojtjes, Admiral Eftimov tha se ‘Hrabri’ pritet të lëshohet në fillim të vitit 2025. Ka filluar blerja e municioneve dhe sistemeve kundërajrore. Eftimov tha se është ngritur një ekip negociator dhe janë shkëmbyer dokumentet me Italinë për blerjen e një nëndetëse dhe ndoshta edhe të një të dytë.
Admirali Mihailov shtoi se do të furnizohen me sisteme të integruara komunikimi dhe navigimi për anijet. Ai tha se projektet janë duke ecur sipas planit dhe se prodhuesit kanë thënë se një pjesë e madhe e pajisjeve janë gati, ose janë në prodhim e sipër. Mihailov shtoi se Marina po punon për përmirësimin e sistemit të mbikëqyrjes bregdetare. Projekti pritet të përfundojë brenda një viti e gjysmë, dhe sistemet e reja do të kenë kapacitete të zgjeruara.
Blerja e anijeve ushtarake patrulluese është një nga tre projektet kryesore të modernizimit të forcave të armatosura në Bullgari, së bashku me blerjen e avionëve luftarakë F-16 për Forcat Ajrore, dhe mjeteve të blinduara për Forcat Tokësore.