Vajzat nga Kosova shkruajnë historinë, fitojnë për herë të parë medalje në Kampionatin Ballkanik të Beach Volley

Dyshja nga Kosova, Dhuratë Sylejmani dhe Valmira Ramadani, e drejtuar nga trajneri Edon Ibrahimi, kanë arritur të shkruajë historinë e Kosovës në Kampionatin Ballkanik të volejbollit në rërë, duke u bërë ekipi i parë senior që fiton medalje në këtë kompeticion, i cili u zhvillua në Balikesir të Turqisë.

Në finale, vashat “Dardane” u mposhtën nga dyshja nga Turqia 1, Gokalp/Merve me rezultat 2-0 në sete.

Kështu, Kosova siguroi vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë në një Kampionat Ballkanik të Beach Volley për seniorë për herë të parë në histori.

Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, ata kanë folur për marrëdhënien e tyre në fushë dhe jashtë saj.

“Unë dhe këto vajza e kemi filluar karrierën në të njëjtin ekip. realisht këto vajza i kanë arritur gjithçka shkallë shkallë. Në bisedën që kam pasur me vajzat, unë ju kam treguar se ky është kampionati që ne kemi më shumë gjasa me u shpërbly me medalje.

Dhurata është lojtarja që bën bllokun, ndërsa Valmira bën mbrojtjen. Kjo ka bërë që të jetë edhe pak më e rreptë”, u shpreh Edoni.

Ndërsa, Dhurata shtoi: “Shoqëria na ka ndihmuar shumë edhe në karrierën tone. Shoqëria na mundëson të jemi edhe më të afërta në lojë. Nuk është se grindemi, po i pranojmë kritikat”./abcnews.al