Suedia e Finlanda në NATO, Turqia i thotë “jo” ftesës së NATO-s për bisedime trepalëshe

Turqia ka refuzuar ftesën e NATO-s për të marrë pjesë në bisedimet trepalëshe me Finlandën dhe Suedinë që si synim kanë gjetjen e një zgjidhjeje për anëtarësimin e dy vendeve nordike në NATO.

Ankaraja kërkoi propozime konkrete nga Helsinki dhe Stokholmi për të adresuar shqetësimet e saj për terrorizmin përpara se të binte dakord për bisedimet e ndërmjetësuara, raporton Financial Times duke cituar burime nga grupi i negocimeve.

Tashmë, zyrtarët e NATO-s do të përpiqen të ndërmjetësojnë një marrëveshje përmes bisedimeve dypalëshe me secilin vend.

Një takim trepalësh i ndërmjetësuar nga zyrtarët e NATO-s ishte “qëllimi përfundimtar … por ne nuk kemi arritur ende atje,” tha një zyrtar i lartë i Aleancës për Financial Times, duke përmendur hezitimin e Turqisë për të marrë pjesë dhe “mungesën e qartësisë” mbi pretendimet e Ankarasë nga dy vendet aplikante.

Presidenti turk Rexhep Erdogan përsëriti të mërkurën kërkesën e tij për lëshime nga dy vendet nordike.

“Derisa Suedia dhe Finlanda të ndërmarrin hapa të qartë, konkret dhe vendimtarë, ne sigurisht që nuk do të ndryshojmë qëndrimin tonë ndaj NATO-s”, tha ai.