Shpërthim i minave tokësore në Siri – të paktën 11 të vdekur, përfshirë pesë fëmijë

Njëmbëdhjetë njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën kur kamioni i tyre u përplas me një minë tokësore pranë qytetit jugor të Sirisë, Daraa.

“Njëmbëdhjetë persona, duke përfshirë pesë fëmijë nën 16 vjeç dhe tre gra, u vranë ndërsa rreth 34 njerëz u plagosën” në shpërthim, njoftoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, duke shtuar se disa ishin në gjendje kritike.

Shumica e viktimave ishin punëtorë që korrnin grurë, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve siriane, SANA.

Rastet e fundit e dërgojnë në 124 numrin e përgjithshëm të njerëzve të vrarë nga mbetjet e eksplozivëve që nga fillimi i vitit 2022, sipas Observatorit me qendër në Britani, i cili mbështetet në një rrjet të gjerë burimesh në Siri.

Eksplozivët e lënë nga të gjitha anët në fusha, përgjatë rrugëve apo edhe në ndërtesa në konfliktin dhjetëvjeçar të Sirisë kanë plagosur mijëra civilë dhe kanë vrarë qindra të tjerë.

Në të gjithë vendin, rreth gjysma e popullsisë vlerësohet të jetë duke jetuar në zona të kontaminuara nga municionet e pashpërthyera, sipas Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2020, Siria kapërceu Afganistanin si vendi me numrin më të madh të viktimave të regjistruara nga minat tokësore dhe mbetjet shpërthyese të luftës, me 2,729 njerëz të vrarë ose të plagosur.

Lufta e Sirisë vlerësohet të ketë vrarë gati gjysmë milioni njerëz dhe zhvendosur miliona të tjerë që kur filloi me një shtypje brutale të protestave antiqeveritare në vitin 2011.