Përparim Rama shpall ‘Qytetar nderi’ gazetarin britanik, Vaughan Smith

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shpallur ‘Qytetar nderi’ gazetarin britanik, Vaughan Smith, në Ditën e Çlirimit të Prishtinës, për raportim e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Rama tha se ndër ata që kontribuuan dhe i treguan botës me fjalë për vuajtjet e popullit kosovar, ishin edhe shumë të huaj gazetarë.

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur sot seancë solemne me rastin e 11 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kryeqytetit, ku Rama tha se 23 vjet më parë, Prishtinës iu kthye shpresa për lirinë.

“Jemi mbledhur këtu për ditën e çlirimit të Prishtinës. Sot 23 vjet më parë Prishtinës iu kthye shpresa për lirinë. Kjo ditë shënon fundin e bombardimeve të NATO në Kosovë sepse mijëra gra e burra e fëmijë sakrifikuan jetën. Falë tyre sot e gëzojmë atë ëndërr në vendin tonë. Falë tyre 11 qershori është bërë simbol i shpresës. Në këtë kapitull të ri është radha jonë të nderojmë veprën e atyre që sakrifikuan për liri. Jemi ne ata që kemi shumë punë për të bërë. Sot u përulemi dëshmorëve të rënë dhe familjarëve të tyre. U përulemi qytetarëve të dëbuar. Le ta kujtojmë 11 qershorin që të punojmë për brezat që po vijnë”, tha Rama, gjatë fjalës së tij në Kuvend. /EO