Parku Kombëtar i Yellowstone do të mund të mbyllet për një kohë të pacaktuar, pasi që vërshimet shkatërruese vazhdojnë që të marrin rrugët dhe urat në Lumin Yellowstone.
Daily Mail shkruan se zyrtarët e parkut i quajtën vërshimet që përfshinë rajonin ku gjindet Yellowstone si “ngjarje që ndodhin një herë në një mijë vjet”, dhe thonë se këto vërshime do të mund të ndërrojnë përgjithmonë rrjedhën e lumit Yellowstone dhe peizazhet që e rrethojnë parkun.
Zyrtarët thanë se intensiteti i rrjedhës së lumit është rritur në 566 metra kub për sekondë më shpejtë se rekordi i cili ishte matur në vitet e 90-ta.
Janë evakuuar mbi 10,000 turistë, duke përfshirë edhe dhjetëra kampistë të cilët u shpëtuan nga helikopterët, duke i larguar të gjithë vizitorët e parkut.
Zyrtarët gjatë së martës paralajmëruan se uji i pijes është bërë i pasigurt, dhe kanë bërë thirrje për vëmendje mbi shtazët që kanë ikur.
Të gjitha hyrjet e parkut u mbyllen gjatë së martës, ndërsa edhe pse ofruesit e shërbimeve në park thanë se disa rrugë jugore në hyrje të parkut mund të hapen brenda javës, rrugët në veri të parkut mund të qëndrojnë të mbyllura gjatë gjithë vjeshtës.
Shtëpitë në park ose janë vërshuar ose janë marrë me vete nga rrjedhat që janë kthyer në lumenj të furishëm, shumë rrugë janë shkatërruar dhe urat janë shembur nga rrjedhat e lumit, ndërsa guvernatori i Montanas, Greg Gianforte, deklaroi një katastrofë kombëtare.