“Open Balkan”/Një ditë para se të vijë në Ohër, Vuçiqi do ta presë në Beograd kryediplomatin rus

Një ditë para se të vijë në Ohër në samitin e radhës në “Open Balkan”, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të pres në Beograd ministri rus të Punëve të Jashtëm, Sergei Lavrov.

Këtë e konfirmoi zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, shkruan B92 të premten.

“Lavrov do ta vizitojë Serbinë më 6 dhe 7 qershor. Ai planifikon të takohet me presidentin, ministrin e Punëve të Jashtme, kryetarin e Kuvendit Kombëtar dhe Patriarkun serb”, tha Zaharova në një konferencë për media.

Vizita e Lavrov në Beograd përkon me samitin e radhës të “Ballkani Hapur”, që do të mbahet në Ohër me 7 dhe 8 qershor, përcjell TV21.

Ftesa e Serbisë ndaj Lavrovit për vizitë në Beograd dhe refuzimi i shtetit serb për t’i vënë sanksione Rusisë në kohën kur ajo po vazhdon luftën e saj në Ukrainë, është parë si një vendim i gabuar nga ana e diplomatëve të huaj.

Ndryshe, tri vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë pjesë e Ballkanit të Hapur, ndërsa Kosova, Bosnjë Hercegovina dhe deri më tash, Mali i Zi, e kanë refuzuar këtë nismë. Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka njoftuar se do të merr pjesë në samit në cilësinë e vëzhguesit, ndërkaq kryeministri kosovar, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme njoftoi se ka refuzuar ftesën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski për pjesëmarrje.