Nga 1 deri në 638 ushtarë – cilat shtete kanë hise në mbrojtjen e Kosovës? (FOTO)

Nëse kërkoni më shumë se një malazez në forcën shumëkombëshe paqeruajtëse në Kosovë, e bëni kot. As lituanez nuk gjeni më shumë.

Por, suedezë ka. Janë 3. Edhe kanadezë janë 5, ndërsa çekë 7.

Kështu, qoftë edhe me prani simbolike, shtetet nga anë të ndryshme të botës kujdesen ta mbrojnë Kosovën edhe 23 vjet pas luftës, që mori fund me dëbimin e forcave serbe nga ana e NATO-s.

Në fakt, pas gjithë këtyre viteve kjo prani e menaxhuar nga Aleanca Veri-Atlantike është tkurrur në masë të madhe, nga rreth 50 mijë sa ishin në fillim.

Aktualisht në Kosovë janë 3.784 ushtarë nga 28 vende kontribuuese.

Më së shumti hise në këtë mision kanë Italia me 638, dhe SHBA me 635 ushtarë.

Hungaria prej nga vjen dhe komandanti aktual i KFOR-it, Ferenc Kajari, është e treta me 469 ndërsa Turqia e katërta, me 351.

Në mesin e paqeruajtësve që vijnë edhe nga vende jo-anëtare të NATO-s , janë edhe 40 sosh nga Ukraina, vendi që për gati 4 muaj është duke luftuar për ta mbrojtur një pjesë të territorit nga pushtimi rus.