Kievi po rindërtohet! Në lindje vijon lufta

Ndërsa beteja me rusët vazhdon në lindje të Ukrainës, në Kiev po përpiqen ti rikthehen normalitetit të para luftës.

Kryebashkiaku i Kievit Vitaly Klitcko ka publikuar pamjet nga puna e nisur për rregullimin e rrugëve në qytet.

Teksa shpjegon zonat specifike ku po kryhen punimet, kryesisht në qendrën e Kiveit, Klitcko thotë se kryeqyteti do të bëhet edhe më i bukur se sa ishte më parë.

Edhe më herët kryebashkiaku ka thënë se edhe pse në luftë, jeta duhet të rinisë, në Kiev kanë filluar tashmë të hapen shumë biznese, pasi njerëzit po kthehen gjithnjë e më shumë në shtëpitë e tyre.

I qetë prej disa kohësh nga bombardimet, të dielën në kryeqytet u ndje sërish frika e luftës.

Rusët bombarduan në mëngjes herët disa zona, por fatmirësisht askush nuk u lëndua. Rusia ka larguar prej kohësh vëmendjen e saj nga Kievi, por ka paralajmëruar se situata mund të ndryshojë në rast se perëndimi vazhdon të furnizojë me armë Ukrainën.