Alkooli dhe lëndët narkotike janë pjesë e pandashme e ngjarjeve të mëdha në botë, e në këtë rast edhe në futboll.
Por, në Kampionatin Botëror “Katar 2022” tifozët duhet të mendojnë mirë para se ta përdorin ose shesin drogën pasi mund të përballen me pasoja të rënda.
Sipas mediave britanike, tifozët që do të mundohen të fusin në Katar lëndë narkotike, respektivisht kokainë, si më e përdorura, do të kenë punë me rregullat strikte të ligjit në vendin organizator.
Në bazë të ligjit nr. 9 të vitit 1987 për kontrollin dhe rregullimin e kontrollit për lëndët narkotike dhe substancave të rrezikshme, personat që kontrabandojnë drogë në Katar përballen me 20 vjet burg dhe një gjobë nga rreth 21 mijë deri në 64 mijë funte.
Kurse, ata që e përsërisin gabimin dhe kontrabanduesit me sasi të madhe të kokainës mund të dënohen me vdekje ose me burgim të përjetshëm.
Për këtë arsye, Botërori i Katarit, i cili do të zhvillohet në mes të muajve nëntor dhe dhjetor të këtij viti, pritet të jetë më i pastër në këtë aspekt.