Policia e Kosovës ka kapur 90 kg drogë, të llojit marihuanë.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka njoftuar se janë kapur 90 kilogramë drogë të llojit marihuanë dhe janë arrestuar dy persona.
“Sapo u zbuluan mbi 90 kg drogë e llojit marihuanë dhe u arrestuan dy persona. Shqetësimi juaj për përhapjen e përdorimit të llojeve të ndryshme të drogave, sidomos nga fëmijët është thirrje për institucionet që të punojnë dhe luftojnë pakompromis grupet kriminale”, ka bërë të ditur ministri.
Sipas tij, kjo është vazhdimësi e angazhimit të përbashkët në luftën kundër narkotikëve që po zhvillohet në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Mirënjohje për të gjithë zyrtarët e angazhuar maksimalisht në këtë drejtim, për të shkatërruar grupet kriminale dhe për të bërë vendin tonë të sigurt për të gjithë”, shtoi tutje ministri
Sveçla thekson se nuk do bëjnë kompromis me asnjë individ dhe se do shkatërrojnë grupet që kultivojnë e trafikojnë drogë në Kosovë.
“Porosia është e qartë: Nuk do të bëjmë asnjë kompromis për asnjë individ dhe do të shkatërrojmë çdo grup të organizuar kriminal të cilët po trafikojnë apo po kultivojnë drogë në Kosovë. Atë do të bëjmë çdo ditë dhe në çdo cep të Kosovës!”, ka bërë të ditur ministri.