Fëmijët e “humbur” të pandemisë/ Mangësi mendore e fizike, si COVID ‘shkatërroi’ brezin e 4-5 vjeçarëve


Pandemia ka pasur një ndikim katastrofik në grupin e foshnjave apo fëmijëve të vegjël, të lindur pak para dhe gjatë COVID-it. Pasojat po shfaqen gjithnjë e më shumë kur vjen puna tek arsimimi.

Mësuesit tashmë nuk kanë asnjë dyshim: Fëmijët po mbërrijnë në shkollë më pak të përgatitur se sa kanë qenë ndonjëherë.

ADVERTISING

Nëse dikur, shumica e 4-vjeçarëve ishin “stërvitur” në tualet dhe arrinin të visheshin vetë, të ushqeheshin e ndoshta të arrinin deri aty sa të shkruanin emrin e tyre dhe disa numra bazë, tani, sipas Fondacionit Education Endowment, një numër i konsiderueshëm i fëmijëve të grupmoshës 4 dhe 5 vjeç, kanë problem me të folurën, ndërveprimin social dhe çalojnë në ushtrime fizike.

Para lockdown-it, rreth gjysma e fëmijëve të kësaj grupmoshe nuk ishin gati për shkollë. “Tani më shumë se 80-90% e tyre që mbërrijnë në bankat e shkollës, vijnë me biberon në gojë dhe me pelena, të paaftë për të hequr xhupin e tyre apo për të ngrënë me lugë,” thuhej në studim.

Ka dëshmi se disa prindër i kanë sjellë në shkollë fëmijët duke i shtyrë me karrocë supermarketesh. Të mbyllur brenda 4 mureve gjatë pandemisë, me smartphone apo tablet nëpër duar, disa fëmijë nuk kanë arritur të vënë në punë muskujt për të vrapuar.

Disa fëmijë kanë qenë aq të izoluar sa përvetësojnë zërat qesharakë të personazheve vizatimorë që i shikonin pafundësisht. Mësuesit, të cilët janë bërë pjesë e studimit e kanë mjaft të qartë se ku qëndron faji: prindërim i dobët gjatë izolimit.

Stafi mësimdhënës mendon se më shumë se kurrë, prindërit tani ia shkarkojnë përgjegjësinë për prindërimin shkollave.

Një mësuese kujdestare thotë se ka prindër që tashmë kanë një qëndrim të tipit: “Do e bësh ti për mua. Ata mendojnë se kanë gjëra të tjera më të rëndësishme në jetën e tyre se sa të luajnë me fëmijët apo t’i stërvisin ata”.

Kur një nënë u pyet nëse i lexonte vajzës së saj 5-vjeçare, ajo tha: “Jo, nuk e bëj fare”, a thua sikur kjo gjë të ishte një zgjedhje stili jetese. Prindërit nga ana e tyre, argumentojnë se shkollat janë ato që nuk po arrijnë të vlerësojnë sesi pandemia ndryshoi dinamikën midis prindërve dhe fëmijëve.