“Faraoni” edhe një vit në “Anfield”, për t’i mbajtur premtimin e dhënë Barcelonës

Mohamed Salah konfirmoi para finales së Champions League se do të vazhdojë edhe një sezon te Liverpooli. Por pas qershorit 2023, e ardhmja e tij nuk dihet. Vetë futbollisti e ka lënë në ajër me një “ta shohim”.

Tani gazeta “Mirror” siguron se arsyeja pse ai vendosi të qëndrojë edhe një sezon në “Anfield” është premtimi që i ka dhënë Barcelonës për ta pritur deri në verën e ardhshme, kur të ketë mundësi për t’u transferuar në “Camp Nou” falas, pasi kontrata e tij përfundon në qershor 2023.
Në Angli janë të bindur se kjo është një nga arsyet kryesore që më në fund Salah ka vendosur të qëndrojë edhe një vit me “të kuqtë”, pavarësisht se ka oferta të rëndësishme. Sulmuesi egjiptian, duke folur për “Diario AS”, tha se Barcelona dhe Reali i Madridit janë klube madhështore dhe la derën e hapur për të luajtur një ditë në “Camp Nou”.