Dështon votimi i ligjit që do t’ua shtynte pensionimin gjykatësve?!


Dështon votimi i ndryshimeve të Ligjit për Marrëdhënie Pune, përmes të cilit dhjetëra gjykatësve e disa prokurorëve do t’u prolongohej pensionimi.

Kjo për shkak se sot është afati i fundit që ky ligj të votohet në seancë plenare, por koha nuk mjafton për shkak se me shumë gjasa deri në mesnatë do të zgjasë seanca për interpelancën e ngritur nga VMRO-DPMNE-ja ndaj kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi.

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski, konfirmoi për TV21, se sot nuk do të ketë hapësirë për seancën sepse gjithë ditën do të zgjasë interpelanca.

“Ditë më parë, me shkulje të kabllove, me shkatërrim të pajisjeve, me grisje të letrave, me zvarritje të kohës në komisione, e dje me replika ndërmjet veti, sollën situatë që ligji të dështojë ta arrijë datën në të cilën duhet të sillet. VMRO-DPMNE ndoshta arriti ta zvarrisë drejtësinë, por nuk do të mund që edhe ta pengojë”, tha Mitevski për TV21.

Gjatë ditës, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i pyetur pse deputetët e partisë së tij i kundërshtojnë ndryshimet e këtij ligji, tha se përmes ndryshimeve pushteti ka për qëllim që t’ua zgjasë marrëdhënien e punës gjykatësve dhe prokurorëve të dëgjueshëm të LSDM-së dhe BDI-së.

Përndryshe, gjatë ditës Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski tregoi se është e dukshme se punët po shkojnë drejt mosvotimit të ndryshimeve ligjore.

“Bëhet fjalë për punë serioze e cila do të ketë implikime serioze, sepse shkuarja në pension e gjykatësve dhe prokurorëve publik do të thotë se numër i madh i procedurave do të duhet të nisin që nga fillimi. Të mos harrojmë se nuk bëhet fjalë për një a dy procedura. Kur ndryshohet gjykatësi procesi nis që nga fillimi”, tha Tupançevski duke paralajmëruas se rikthimi nga fillimi i disa lëndëve, nënkupton edhe vjetërsim të disa lëndëve.