-ads3-

Duke replikuar me kolegëet e VMRO-DPMNE-së gjatë seancës për interepelancën ndaj kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, deputeti i BDI-së, Berat Ajdari, tha se opozita maqedonase nuk mund të përballojë faktin që institucionin ligjvënës e drejton një komandant i UÇK-së.

“Disa herë përmendët se kush qëndron mbrapa interpelancës së parashtruar kundrejt kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Mos vallë ndoshta mbrapa rrinë edhe Moska apo Hungaria. Sa i përket se kush rrinë mbrapa kryetarit tonë ti e din atë më së miri. Interpelanca e parashtruar nga ju, bashkë me grupin tuaj parlamentar, po ashtu edhe fjalimi juaj përmban një vargë të pavërteta dhe paraqet një tentativë të vrazhdë që të manipulohet i gjithë opinioni. Gjithësesi, opinioni e ka të qartë që për qëllime ditore, politike, të nxitura nga selia juaj partiake që as vetë ju nuk po e dini ku e keni qendrën, në Shkup, në Hungari apo në Rusi por me një koordinim të trekëndëshit Shkup, Budapest, Moskë, po mundoheni ta destabilizoni vendin dhe të krijoni tensione ndëretnike. Nuk mund të besoj që përkundër vullnetit të mirë të qytetarëve, ju jeni përçarësit më të mëdhenj, madje edhe në aspektin e ndarjeve në çështje etnike. E shikoj që po të kishit mundësi ju kolegë nga VMRO-ja, bashkë me “Levicën” do ta përsëritnit edhe sot 27 prillin të vitit 2017. Urrejtja që po tregoni në fjalimet tuaja, në veprimet tuaja, tregon që asgjë nuk ka ndryshuar nga përgjimet e famshme disa vite me parë. E shikojmë që për ju është bërë therrë në sy kryetari Talat Xhaferi, kryetari më i suksesshëm që ka pasur Kuvendi RMV-së. Nuk mund të përballoni kryetar të Kuvendit një shqiptar, një komandant. Gjithashtu ju pengon edhe gjuha shqipe me të cilën flet kryetari”, tha Ajdari.