Bashkimi Evropian, më 3 qershor, futi në listën e zezë komandantët ushtarakë rusë, për të cilët tha se drejtonin trupat e përfshirë në krimet në Ukrainë, duke i përshkruar ata si “kasapë” në Buça dhe Mariupol.
Në listën e saj më të re të sanksioneve gjendet edhe Alina Kabayeva, për të cilën thuhet se është “e lidhur ngushtë” me presidentin rus Vladimir Putin, megjithëse ai mohoi se ata kanë një marrëdhënie emocionale.
Ish-gjimnastja olimpike Alina Kabayeva në muajin maj, ishte gjithashtu objektivi i sanksioneve të Britanisë së Madhe.
BE-ja ka publikuar emrat e 65 personave të tjerë, të përfshirë nga pakoja e fundit e sanksioneve për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Kjo pako sanksionesh përfshin ndalimin e importit të naftës nga deti dhe heqjen e huadhënësit më të madh rus, Sberbank, nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov nuk iu përgjigj kërkesës për të komentuar lidhur me listën e zezë të BE-së. Gjithashtu, nuk ka pasur asnjë koment publik nga ata që ishin në shënjestër të sanksioneve.
Në mesin e 65 personave të përmendur, ishte edhe Azatbek Omurbekov, për të cilin BE-ja deklaroi se ai udhëhoqi trupat ruse kur ato “vranë, përdhunuan dhe torturuan civilët në Buça”.
Në listë është përfshirë edhe gjenerali Mikhail Mizintsev, për të cilin BE-ja tha se mbikëqyri rrethimin dhe bombardimin e Mariupolit, në të cilin u vranë mijëra njerëz. Sulmet ruse në qytetin port të Detit Azov goditën maternitetin dhe teatrin, duke vrarë qindra fëmijë, tha BE-ja, duke e quajtur Mizintsevin “Kasap i Mariupolit”.
Sanksionet e fundit goditën gjithashtu Arkady Volozhin, i cili u largua menjëherë nga pozicioni i drejtorit ekzekutiv në Yandex, një gjigant rus i internetit, në të cilin bankat shtetërore, përfshirë Sberbank, kanë aksione, tha BE-ja.
Blloku tha se Yandex promovon narracionet shtetërore dhe zvogëlon dukshmërinë e përmbajtjes që është kritike ndaj Kremlinit, sikurse edhe ndaj luftës në Ukrainë.
Aksionet e Yandex ranë deri në 10 për qind pas njoftimit të BE-së, megjithëse më vonë u rikuperuan, me një humbje prej 6 për qind atë ditë.