Policia ka vënë në pranga një 30-vjeçare në Tiranë pasi akuzohet për mashtrim. Sipas policisë, në pranga është vënë shtetasja me iniciale V. G., 30 vjeçe, banues në Berat, pasi akuzohet për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim.
Sipas policisë, kjo shtetase dyshohet se me anë të mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuara, ka përfituar shumën 16000 euro nga një shtetas kosovar, me pretendimin se do t’i kryente atij, procedurat për pajisjen me pasaportë shqiptare.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se kjo shtetase, nëpërmjet mashtrimit, ka përfituar shuma të ndryshme monetare, nga shtetas të ndryshëm në Republikën e Shqipërisë.