Zbulohet dhëmbi që dëshmon ekzistencën e Denisovanëve, kushërinj të njeriut


Dhëmbi i një fëmije që daton të paktën 130 mijë vjet më parë, i gjetur në një shpellë në Laos, mund t’i ndihmojë shkencëtarët të zbulojnë më shumë informacione rreth një kushëriri të hershëm të njeriut.

Studiuesit besojnë se zbulimi dëshmon se Denisovanët – një degë tashmë e zhdukur e njerëzimit, jetonin në tropikët e ngrohtë të Azisë Juglindore.

Shkencëtarët i zbuluan për herë të parë Denisovanët teksa punonin në një shpellë siberiane në vitin 2010 dhe gjetën një kockë gishti të një vajze që i përkiste një grupi njerëzish të paidentifikuar më parë. Duke përdorur vetëm një gisht dhe një dhëmb të gjetur në shpellën Denisova, ata nxorën një gjenom të tërë të grupit. Studiuesit më pas gjetën një nofull në vitin 2019 në Pllajën Tibetiane, duke dëshmuar se një pjesë e specieve jetonte edhe në Kinë.

Përveç këtyre fosileve të rralla, Denisovanët lanë pak gjurmë para se të zhdukeshin, përveç gjeneve të ADN-së njerëzore sot.

Nëpërmjet ndërthurjes me Homosapienët, mbetjet Denisovane mund të gjenden në popullatat aktuale në Azinë Juglindore dhe Oqeani. Australianët aborigjenë dhe njerëzit në Papua Guinenë e Re kanë deri në pesë përqind të ADN-së së specieve të lashta.

Dhëmbi u duk menjëherë se kishte një formë tipike njerëzore. Studimi tha se bazuar në proteinat e lashta, dhëmbi i përkiste një fëmije, me gjasë femër, të moshës mes 3.5 dhe 8.5 vjeç, raporton Guardian, transmeton Klankosova.tv.

Pas analizimit të formës së dhëmbit, shkencëtarët mendojnë se ka shumë të ngjarë të jetë një Denisovan që ka jetuar mes 164,000 dhe 131,000 vjet më parë.

Më pas shkencëtarët studiuan brendësinë e dhëmbit përmes metodave të ndryshme, duke përfshirë analizimin e proteinave dhe një rindërtim 3D me rreze X. Struktura e brendshme e dhëmbit ishte e ngjashme me atë të molarëve të gjetur në ekzemplarin tibetian Denisova. Struktura e dhëmbit kishte karakteristika të përbashkëta me Neandertalët, të cilët ishin gjenetikisht të afërt me Denisovanët.

Prandaj, Denisovanët e fundit mund të ishin takuar dhe ndërthurur me njerëzit modernë, të cilët ua kaluan trashëgiminë e tyre gjenetike popullatave moderne të Azisë Juglindore, në epokën e Pleistocenit.