Ditën e djeshme, ushtari rus 21 vjeç Vadim Shishimarin u deklarua fajtor për vrasjen e një civili të paarmatosur në gjyqin e parë për krime lufte në Ukrainë që nga fillimi i luftës. Vadim Shishimarin pranoi se kishte qëlluar një 62-vjeçar disa ditë pas fillimit të pushtimit. Ai përballet me burg të përjetshëm.
Ndërkohë sot, gjyqi i Vadim Shishimarin filloi me një përplasje të fuqishme mes tij dhe bashkëshortes së 62-vjeçarit të ndjerë.
Kateryna Shelipova u ngrit në gjykatë dhe e pyeti 21-vjeçarin se çfarë ndjeu kur vrau bashkëshortin e saj Oleksandr dhe a u pendua për krimin e tij. Ushtari u përgjigj se ai e pranoi fajin e tij dhe i kërkoi falje.
“Por e kuptoj që nuk do të mund të më falësh”, i tha ai.
Kateryna Shelipova nuk kishte mbaruar.
“Më thuaj, të lutem, pse erdhët ju (rusët) këtu? Për të na mbrojtur?”, pyeti ajo ushtarin duke përmendur justifikimin e Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës.
‘Na mbroni nga kush? Më ke mbrojtur nga burri im, të cilin e vrave?”.
Por ushtari rus nuk kishte një përgjigje për këtë.
Ushtari rus pohoi se nuk kishte dashur që ta vriste 62-vjeçarin dhe se po zbatonte urdhrat i kërcënuar nga një ushtar tjetër.