Shpallet fajtore për vrasjen e burrit autorja e librit “Si ta Vrasësh Burrin Tënd”

Një gjykatë në qytetin Portland të SHBA-së, e ka shpallur fajtore një autore të librave të zhanrit romancë, e cila e shkroi një libër me titullin “Si ta Vrasësh Burrin Tënd”, pasi që ajo e qëlloi për vdekje me armë burrin e saj.

Të mërkurën u raportua se juria e përbërë nga 12 anëtarë, e shpalli fajtore 71 vjeçen Nancy Crampton Brophy, për vrasje të shkallës së dytë, pas seancës e cila zgjati dy ditë në lidhje me vdekjen e Daniel Brophy.

Brophy, një shef kuzhine 63 vjeçar, u vra me 2 qershor të vitit 2018, përderisa ai po bëhej gati të shkonte në punë.

Crampton Brophy nuk reagoi fare kur u lexua verdikti ndaj saj në dhomën e tejmbushur të gjykatës në kantonin e Multnomah.

Një nga avokatet e saj, Lisa Maxfield deklaroi se ekipi mbrojtës do ta apelojë vendimin e dhënë, transmeton Telegrafi.

Në shkrimin e publikuar në vitin 2011 si në lloj forme të mendimeve të ndryshme, ajo dha disa opsione se si të vrasësh dikë pa lënë gjurmë.

Në hapje të librit Crampton Brophy shkruante: “Si një shkrimtare e zhanrit të romancës, unë e kaloj kohën duke menduar në lidhje me vrasje, e edhe për procedurat e policisë njëkohësisht. Në fund të fundit, nëse supozohet se vrasja do të më çlirojë mua, unë nuk dua të kaloj kohë në burg. Dhe më lejoni ta bëj të qartë, nuk më pëlqejnë tutat sportive, dhe nuk mendoj se më përshtatet fare ngjyra portokalli”.