Rundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë më 30 maj

Në Shqipëri, votimi i tretë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është parashikuar të zhvillohet të hënën e ardhshme me 30 maj. Vendimi u mor në mbledhjen e konferencës së kryetarëve. Mbetet ende e paqartë nëse mes palëve do të ketë bisedime për të shkuar drejt zgjedhjes së një figure konsensuale.Kryetari i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, i qëndroi propozimit të tij, sipas të cilit opozita duhet të ofrojë 4 kandidatura, nga të cilat shumica të përzgjedhë dy dhe në fund palët të bien dakort rreth njërës prej tyre, që të ketë mbështetjen po ashtu me firmat e deputetëve të të dy krahëve.Kreu i grupit socialist Taulat Balla, ritheksoi se është kundër këtij propozimi, duke përsëritur se shumica nuk do propozojë kandiaturë dhe për këtë raund dhe se mbetet e hapur të diskutojë rreth emrave që mund të ofrohen nga opozita. Një propozim që është më afër atij të bërë nga grupi tjetër parlamentar i së djathtës i drejtuar nga Fatmir Mediu, sipas të cilit opozita duhet të dalë me një kandidat të saj të përbashkët. Ndërkohë që sipas zotit Alibeaj, shumica po bën lojë për të zvarritur procesin drejt raundit të 4 e të 5-të kur ajo mund ta zgjedhë e vetme presidentin.