Një gazetar francez është vrarë gjatë raportimit nga Ukraina, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
“Frederic Leclerc-Imhoff ishte në Ukrainë për të shfaqur realitetin e luftës. Gjatë kohës sa ishte në një autobus humanitar me civilët që janë detyruar të largohen nga bombardimet ruse, ai u plagos për vdekje”, shkroi Macron në një postim në Twitter.
Edhe televizioni BFM-TV, media ku punonte gazetari, konfirmoi vrasjen e tij.
Më herët, guvernatori rajonal i Doneckut tha se një gazetar francez është vrarë kur një transportues i blinduar, që po përdorej për evakuimin e civilëve në rajonin ukrainas të Luhaskut, u godit nga granatimet ruse.
Guvernatori rajonal, Serhiy Hayday, shkroi në Telegram se kjo makinë transportuese ishte planifikuar që të merrte dhjetë persona për t’i evakuuar, por u qëllua “nga zjarri i armikut”.
“Copëzat e predhave depërtuan në makinë, dhe një gazetar i akredituar francez është lënduar në mënyrë fatale në qafë. Ai po raportonte për evakuimet, ndërkaq një zyrtar policor i shpëtoi sulmit”, tha Hayday.
“Ne zyrtarisht po e ndalojmë evakuimin”, shtoi ai.
Hayday po ashtu postoi një fotografi, që tha se ishte kartela e akreditimit të gazetarit.