Diskutimi mbi Nismën e Ballkanit të hapur u shoqërua me replika mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri të Malit të Zi, Dritan Abazoviç në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore që po mbahet në Mal të Zi, Abazoviç tha se një pjesë e shoqërisë së Malit të Zi e kundërshton “Ballkanin e Hapur” për shkak të rolit të Serbisë në këtë nismë.
“Për mendimin tim, një pjesë e shoqërisë në Mal të Zi e kundërshton (‘Ballkanin e Hapur’), vetëm sepse është kundër çdo gjëje që është Serbia. Ata nuk e kanë problem nismën, por kanë problem personal”, tha ai duke shtuar se “problemet personale në politikë shpeshherë nuk japin mundësinë për ndonjë lloj vizioni”.
Ndaj komentit të Abazoviçit reagoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Ne i kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit vendit që bëri gjenocidin ndaj nesh, pa kërkuar ndjesë, pa parë keqardhje nga ana e tyre, pa kriminelët pas hekurave apo të nxjerrë para drejtësisë, pa pasur rreth 2,000 të zhdukur në periudhën e luftës, një vendi që fle mbi varre masive. Si mund të tregojmë më shumë sesa në këtë mënyrë të shtrijmë dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit?”.
Abazoviç, duke iu kundërpërgjigjur Osmanit, deklaroi se askush nuk është në situatë që të zgjedhë qeveri në një vend tjetër.
“Si ka mundësi që ju, me shumë gjasa do të uleni në Procesin e Berlinit me të njëjtët njerëz, të cilët fatkeqësisht nuk e njohin Kosovën, ndërkaq Ohri (ku do të mbahet takimi i ardhshëm i ‘Ballkanit të Hapur’) është problem? Kjo është ajo që unë nuk e kuptoj”, tha Abazoviç.
Kosova kundërshton nismën “Ballkani i Hapur”, duke këmbëngulur në atë që Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë. Ndërsa sipas Abazoviç qëllimi i vetëm i shtetit të tij në politikën e jashtme është anëtarësimi i plotë në BE teksa tha se në takimin e “Ballkanit të Hapur”, që do të mbahet më 7 dhe 8 qershor, do të marrë pjesë si mysafir.