Kundërshtari i njohur i presidentit rus Vladimir Putin, Alexei Navalny, humbi apelin kundër një dënimi me nëntë vjet burg, por nuk mungoi një sulm i ashpër kundër shefit të Kremlinit për luftën në Ukrainë.
Duke e quajtur luftën e Vladimir Putin si marrëzi, ai tha se ” gjykatat e qeverisë janë të ndërtuara tërësisht mbi gënjeshtra”. Ai iu drejtua gjykatës në Moskë përmes një lidhjeje video nga qelia e tij.
Në komentet që u ndërprenë në mënyrë të përsëritur, Navalny tha se ai e përçmonte gjykatën dhe tha se vendimet kundër tij nuk ishin të ndryshme nga gënjeshtrat e përdorura nga Presidenti Putin dhe TV shtetëror për të justifikuar luftën.
“Ju do të pësoni një disfatë historike në këtë luftë që keni nisur. Ajo nuk ka asnjë qëllim apo kuptim. Pse po bëjmë luftë?”, tha ai.
I parë prej kohësh si kritiku më i zëshëm i Presidentit Putin në Rusi, Navalny u arrestua në momentin kur ai u kthye në shtëpi nga Gjermania pas trajtimit për një sulm thuajse fatal me agjent nervor në Siberi në gusht 2020.
Ai fillimisht u burgos për dy vjet e gjysmë për thyerjen e masës së lirimit me kusht ndërsa po trajtohej në spital, por në mars iu dha nëntë vjet shtesë për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës.
Prokurori i tha gjykatës se vendimi në mars ishte i drejtë dhe i justifikuar, por avokati mbrojtës i Navalny argumentoi se ai kishte kundërshtuar ligjin ndërkombëtar.
Që kur Navalny u burgos vitin e kaluar, ai është mbajtur në një burg në Pokrov, në lindje të Moskës, por tani ai mund të kalojë në një burg tjetër me regjim shumë më të rreptë dhe të drejta shumë të kufizuara për vizitat në burg.