Kryeministri, Albin Kurti, i cili po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë se ka ftuar investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë dhe të shtojnë fitimet e tyre por duke ndihmuar edhe punësimin në Kosovë.
“Kemi ftuar bizneset shqiptaro-amerikane dhe bizneset amerikane të investojë në Kosovë dhe të fitojnë”, tha Kurti në një intervistë për Zerin e Amerikës.
I pari i ekzekutivit thotë se rinia e Kosovës janë të përgatitur mirë dhe njohin gjuhën angleze dhe një pjesë e madhe edhe gjuhën gjermane.
“Në Kosovë janë 650 kompani vetëm në fushën e teknologjisë së informacionit. 10% e tyre janë në pronësi të huaj, 21% në pronësi të përzier. Kosova ka indikatorët që të shndërrohet në një lloj Estonie të Evropës Juglindore”.
Kujtojmë, Estonia është ndër vendet e Evropës që ka pasur një zhvillim të hovshëm në aspektin e teknologjisë.
Softueri i njohur për audio dhe videolidhje “Skype” ka qenë produkt estonez para se të blihet nga Microsoft.