Kurti kërkon angazhim nga Prokuroria Speciale për dënim të kriminelëve të luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të ndjekë e të dënoj kriminelët e luftës në Kosovë.

Kurti thotë në një status në Facebook se për tri vitet e fundit ka pasur mungesë në ndjekjen e krimeve të luftës.

“3 vite mungesë në ndjekjen e krimeve të luftës. Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës mundëson gjykimin në mungesë. Para tri vitesh, kërkesa e pashtershme për drejtësi për viktimat, ka sjellë deri te miratimi i një norme të këtillë juridike që mundëson mbarëvajtje të procesit gjyqësor pa praninë e të akuzuarit”, shkruan ai.

Kurti shton se pret angazhim dhe se kanë shtuar buxhetin për rritjen e numrit të prokurorëve special dhe bashkëpunëtorëve.

“Qeveria pret angazhim me të madh në ndjekjen e gjykimin e krimeve të luftës. Për këtë, brenda vitit të parë kemi shtuar buxhetin për rritjen e numrit të prokurorëve special dhe bashkëpunëtorëve profesionalë. Po ashtu, po punojmë në krijimin e Institutit që do dokumentojë krimet e kryera gjatë luftës, e po punojmë zellshëm në hartimin e strategjisë për drejtësinë tranzicionale”, shton ai.

Tutje ai thotë se krimet e luftës nuk parashkruhen dhe se shteti ua ka borxh vënien e drejtësisë familjarëve të të vrarëve.

“Krimet e luftës nuk parashkruhen, por ditët e vitet ikin shpejtë. Me këto ikin edhe ata të cilëve shteti u ka borxh vënien e drejtësisë për familjarë të vrarë e për dhimbjen e papërballueshme e cila po mbetet pa përgjigje. Kriminelët e luftës duhet dënuar dhe për këtë është e nevojshme dhe e domosdoshme përgjegjësia më e lartë institucionale, në radhë të parë e Prokurorisë Speciale e pastaj e tërë sistemit. Pesha e përgjegjësisë e organeve të drejtësisë tejkalon atë profesionale dhe imponon veprim efikas. Këtë e kemi borxh”, përfundoi ai.